Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj, ka reaguar pas raportimeve se kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, janë takuar mbrëmë larg syrit të mediave në Prapashticë.
“Dikur PAN-i takohej fshehtazi nëpër kafe e shtëpi luksoze në Hajvali për të ndarë kulaçin e pushtetit në emër të së “mirës së popullit”, ka shkruar Molliqaj në rrjetin social Facebook.
“Sot, VV e LDK, pasi dështuan që të formojnë qeverinë duke u takuar nëpër zyrat e institucioneve, iu rikthyen metodës së vjetër të takimit nëpër lagje periferike të Prishtinës ku gjinden rançet luksoze të pushtetarëve të djeshëm. VV-së, që në dukje të parë shihet si parti e majtë e transparente, iu shpërfaq fytyra e vërtetë e zhytur në terrin e Prapashticës”, thekson ai.
Postimi i plotë i Dardan Molliqajt:
Koalicioni i rançit të Prapashticës
Dikur PAN-i takohej fshehtazi nëpër kafe e shtëpi luksoze në Hajvali për të ndarë kulaçin e pushtetit në emër të së “mirës së popullit”.
Sot, VV e LDK, pasi dështuan që të formojnë qeverinë duke u takuar nëpër zyret e institucioneve, iu rikthyen metodës së vjetër të takimit nëpër lagje periferike të Prishtinës ku gjinden rançet luksoze të pushtetarëve të djeshëm. VV-së, që në dukje të parë shihet si parti e majtë e transparente, iu shpërfaq fytyra e vërtetë e zhytur në terrin e Prapashticës.
Këto janë shenjat e para të popullizmit në ardhje. Çka mund të jetë dukur në fillim si kthim i shpresës e qeverisje progresive u kthye brenda 3 muajve në stagnim institucional për hir të kulaçit të pushtetit. Këta hapur kritikuan elitat politike të korruptuara dhe u munduan që t’i delegjitimojnë vetëm që në fund të shndërrohen në po të njëjtit që ishin në pushtet.
/InLajmi/