Sot në media u raportua që kryetari i VV-së, Albin Kurti është parë në objektin e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë.
E arsye po del të ketë qenë intervistimi nga Prokuroria e Prishtinës lidhur me kërcënimin që i kishte bërë anëtari i Nismës, Haxhi Hoti, gati një muaj më parë, shkruan InLajmi.
Këtë e ka bërë të ditur, zyrtari i VV-së, Berat Ganiqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Sot, së bashku me Kryetarin e Lëvizjes Albin Kurti ishim në Prokurorinë Themelore me ftesë të kësaj të fundit. Albin Kurti është ftuar për intervistim në lidhje me kërcënimin që i është bërë në rrjetet sociale nga Haxhi Hoti, anëtar i subjektit Nisma për Kosovën në fund të dhjetorit 2019”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se ish-kandidati për deputet i Nismës, Haxhi Hoti, përmes një postimi në Facebook, Hoti kishte shkruajtur se Kurti ose duhet ta lëshojë Kosovën, ose të vritet.
Pas kësaj, ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës. /InLajmi