Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Thaçi, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, është takuar me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, shkruan InLajmi.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Thaçi, ka bërë të ditur se me kryeministrin kroat, Plenkoviq, kanë diskutuar edhe për liberalizimin e vizave.
Thaçi ia ka bërë të ditur kryeministrit Plenkoviq, se Kosova pret që të marrë vendimin për liberalizimin e vizave nga BE-ja, gjatë kohës sa Kroacia do të udhëheq Presidencën e Bashkimit Evropian.
Postimi i plotë i tij:
Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos takova Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković.
Ne diskutuam për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe partneritetin strategjik në mes të Kosovës dhe Kroacisë.
Kosova pret që gjatë Presidencës së Kroacisë në Bashkimin Evropian të merret vendimi i merituar për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë./InLajmi