Deputetja nga radhët e LVV, Mimoza Kusari e ka cilësuar si një hap i rëndësishëm marrëveshjen për linjnë ajrore Prishtinë-Beograd, shkruan InLajmi.
Ajo shpreson se marrëveshja për linjnë ajrore mes dy shteteve të jetë edhe për hapjen e hapësirës ajrore të Serbisë për fluturimet tjera për në Kosovë, pasi sipas saj udhëtimet nga aeroporti i Prishtinës janë më të gjata dhe më të shtrenjta për shkak të devijimit që janë të detyruar të bëjnë të gjithë aeroplanët për të mos fluturuar mbi Serbi.
Ndryshe, diplomatët amerikanë e organizuan të hënën nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e fluturimeve komerciale me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve ballkanike.
Postimi i plotë:
Hap i rëndësishëm në procesin e normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi nisja e fluturimit Prishtinë – Beograd dhe anasjelltas.
Përveç atyre që kanë interes të fluturojnë në Beograd, më e rëndësishme është hapja e hapësirës ajrore të Serbisë për fluturimet tjera për në Kosovë.
Nëse marrëveshja përfshin edhe Aeroplanët të cilët destinim e kanë Prishtinën nga kudo tjetër, atëherë ky sukses do të ketë ndikim përmbajtësor në jetën e gjithë udhëtarëve për Prishtinë dhe nga Prishtina.
Udhëtime tona nga aeroporti i Prishtinës janë më të gjata dhe më shtrenjta si rrjedhojë e devijimit që janë të detyruar të bëjnë të gjithë aeroplanët për të mos fluturuar mbi Serbi, pasi hapësira e tyre ajrore është e mbyllur për avionët që destinim e kanë Kosovën. Rrjedhimisht ne paguajmë biletat më shtrenjtë dhe udhëtojmë më gjatë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Nëse nuk është arritë edhe hapja e hapësires ajrore të Serbisë për Kosovën, për të gjitha fluturimet për në Prishtinë, korridori i fluturimit vetëm për një aviokompani me destinim Prishtinë – Beograd ka efekt të kufizuar./InLajmi/