Sot është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës e Serbisë për rifillimin e fluturimeve komerciale, e për këtë Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të njoftojnë publikun mbi përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje dhe implikimeve të saj, shkruan InLajmi.
“Qytetarët e Kosovës janë të painformuar mbi përmbajtjen e saj dhe procesin vendimmarrës që i ka paraprirë arritjes së kësaj marrëveshjeje. Për më tepër, publiku nuk ka informacion për implikimet që kjo marrëveshje mund të sjellë, p.sh. me çfarë dokumente udhëtimi do të mundësohet udhëtimi i qytetarëve në mes të këtyre dy kryeqyteteve dhe çështje të tjera që derivojnë nga kjo marrëveshje.
Duke vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm dhe përfshirjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, KDI-ja u bën thirrje autoriteteve të Republikës së Kosovës që të përkushtohen për transparencë dhe llogaridhënie, si parakusht për rritjen e besimit të publikut në procesin e normalizimit”, thuhet në njoftim./InLajmi/