Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, reagoi pas mandatimit të Albin Kurtit për kryeministër të vendit, duke thënë se nuk mund të prisnin në pafundësi, shkruan InLajmi.
Ajo përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo u shpreh se nuk mund të rrezikonim miratimin e buxhetit dhe krijimin e situatave të vështira financiare.
Postimi i plotë i saj:
Albin Kurti, personi më i votuar në zgjedhjet parlamentare, është i mandatuari për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sot dërguam dhe formalisht propozimin e LV! si fituese e zgjedhjeve.
Tani më nuk ka dhe shumë kohë, 15 ditë nga nesër Albin Kurti duhet të paraqes përbërjen e Qeverisë para Kuvendit.
Nuk mund të presim në pafundësi, nuk mund të rrezikojmë miratimin e buxhetit e krijimin e situatave të vështira financiare në qindra mijëra familje e as të bllokojmë krijimin e institucioneve.
Ne po bëjmë hapa përpara në jetësimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur me 6 tetor, po angazhohemi për krijimin e një Qeverie që do të luftojë krimin e korrupsionin, që do të punoj shumë për zhvillimin ekonomik e përmirësimin e jetës së qytetarëve, për mundësitë e reja e hapjen e perspektivave për të rinjët tanë.
Kemi besuar se në këtë rrugëtim do të jemi bashkë me LDK-në, në realizimin e programit për të cilin jemi pajtuar tashmë, andaj jemi angazhuar e do të punojmë edhe ditëve në vijim që kjo të arrihet.
Nuk mund të kthehemi në të kaluarën, në rrugën përpara duhet ulur në tavolinën e bisedimeve deri në arritjen e marrëveshjes, votimin e Qeverisë Kurti dhe fillimin e punës.
Bashkë me LDK-në duhet të përmbushim shpresat për ndryshim. Kjo është mundësia e fundit për të jetësuar vullnetin e qytetarëve, për t’u shkëputur përfundimisht nga qeverisjet e papërgjegjshme që shkaktuan largimin e qindra mijëra qytetarëve rrugëve të botës.
Skenaret që pengojnë realizimin e vullnetit të qytetarëve nuk mund dhe nuk duhet të ngadhënjejnë mbi zërat racional që duhet t’i dëgjojmë këto ditë. Është koha që premtimet t’i bëjmë realitet, që besimin që na e kanë dhënë, ta kthejmë në votimin e Qeverisë së ndryshimit.
Qytetarët kanë folur me 6 tetor, të zgjedhurit e tyre do të flasin pas dy jave, me shpresën që do të përmbushin besimin e dhënë./InLajmi