Presidenti Hashim Thaçi ka thënë të premten se është i obliguar që të ndërmarrë veprime pa vonesa të mëtejme, përkitazi me mandatarin për formimin e Qeverisë. Por juristët nuk shohin mundësi për ndonjë veprim kushtetues.
Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe në Lidhjen Demokratike (LDK), parti këto që janë duke përjetuar krizë në negociatat për formimin e koalicionit, kanë theksuar nevojën që kreu i shtetit të mos ndërmarrë veprime të ngutshme dhe që t’u japë rast negociatave mes tyre.
Në mungesë të një marrëveshjeje me LDK-në, LVV-ja nuk e ka paraqitur emrin e mandatarit për ta formuar Qeverinë, as pas tri kërkesash që ia ka bërë presidenti. Të katërtën ia ka përsëritur të premten, nëpërmjet një shkrese.
Dhe, në të, ka theksuar përcaktimin për të ndërmarrë veprime, pasi ka theksuar se mandati i tij kushtetues e obligon që të garantojë funksionalitetin demokratik të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë edhe sigurimin e emërimit të kandidatit për kryeministër për të formuar Qeverinë.
“Pas funksionalizimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë presin funksionalizimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe presin nga unë të dekretoj kandidatin/en e propozuar për kryeministër. Si president i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikë së Kosovës ta kenë sa më shpejt Qeverinë e tyre”, thuhet në një letër që presidenti Hashim Thaçi ia ka adresuar kreut të LVV-së, Albin Kurti.
“Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin për kryeministër”.
Kurti si lider i LVV-së dhe kandidat i kësaj partie për të udhëhequr me Qeverinë, i është përgjigjur pozitivisht tek ftesës së tretë të kreut të shtetit. Kësisoj, të hënën i ka shkuar atij në zyrë. Por, në takimin që ka zgjatur fare shkurt, nuk e ka vënë në tryezë emrin e njeriut që propozohet për kryeministër, shkruan sot Koha Ditore.
Thaçi ka lënë të kuptohet se përcaktimi i LVV-së për të mos e bërë të ditur emrin e kandidatit mund të merret edhe si refuzim për ta dhënë mandatarin për kryeministër.