Presidenti i Kosvës Hashim Thaçi, Nazmi Mujotës i ka falur dy vjet nga dënimi i tij prej gjithsej 18 vjet sa ishte dënuar në prill të vitit 2015.
Nazmi Mujota ishte dënuar për kryerjen e veprave penale, “vrasje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, shkruan Gazeta Insajderi.
Mujota, në vitin 2007 në një pompë të benzinës në fshatin Belinc të Komunës së Shtimes, me dashje kishte privuar nga jeta të ndjerin B.B për motive të hakmarrjes.
Sipas një njoftimi të Gjykatës Themelore të Ferizajt, të lëshuar në prill të vitit 2015, thuhej se, Mujotës i është shqiptuar dënimi me burg në kohëzgjatje prej 18 vite dhe dënim me gjobë në shumë prej 600 euro.
“Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, sot ka shpallur aktgjykim ndaj të akuzuarit N.M, për kryerjen e veprave penale vrasje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve, duke shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 vite dhe dënim me gjobe në shumë prej 600 euro”, thuhej në komunikatën e Gjykatës Themelore të Ferizajt, përcjell Insajderi.
Tutje në këtë komunikatë shpjegohej edhe në detaje arsyeja e të dënuarit tashmë të falur nga presidenti Thaçi.
“Ndryshe, të akuzuarit N.M dhe Nj.M, shtetas të Republikës së Kosovës, sipas aktakuzës së Prokurorit të Shtetit janë akuzuar se me datë 07.11.2007, rreth orës 15:30, në pompën e benzinës “Granit Petrol” në fshatin Belinc, Komuna Shtime me dashje direkete me motive të hakmarrjes kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B.B, dhe po ashtu kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm ndaj të dëmtarit R.M, me çka kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale vrasje e rëndë”, thuhej në njoftim.
Presidenti Thaçi përmes një dekreti qe kishte marrë më 21 nëntor të vitit që sapo lamë pas, përveç Nazmi Mujtoës, ka falur edhe Granit Paçarizin dhe Arlind Latifin.