Kosova e përmbylli edhe vitin 2019 me probleme të shumta në fushën e arsimit, të cilat i konstatuan vetë përgjegjësit e kësaj fushe dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë (SBASHK). Ekspertë të çështjeve të arsimit shprehen të zhgënjyer me mungesën e një vizioni nga autoritetet kompetente të arsimit në vend për të ndryshuar gjendjen në arsim.
Cilësia e dobët në arsim, pakënaqësitë e mësimdhënësve sa i përket pagave dhe ndërhyrjet politike në institucionet e pavarura arsimore, janë vetëm disa nga problemet, me të cilat u përball sektori i arsimit në Kosovë gjatë vitit 2019, thonë ekspertët.
Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se rezultatet e dala në fushën e arsimit gjatë vitit 2019, dëshmuan se sistemi i edukimit në Kosovë është në degradim e sipër.
“Rezultatet e fundit të PISA (Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve) krahasuar me ato të vitit 2005, tregojnë se jemi në krizë. Është zhgënjyese sepse Kosova nuk ka vizion dhe nuk di çfarë të bëjë për të ndryshuar gjendjen në arsim në një periudhe 10-vjeçare”, thotë Hyseni.
Për nivelin jo të kënaqshëm në arsim, Kosova u alarmua për të dytën herë me radhë nga Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën ‘PISA’.
Ky mekanizëm e radhiti Kosovën në vendin e 77 në mesin e 79 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi, duke ranguar të tretën nga fundi i listës. Kosova në këtë test ka lënë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.
Rezultati i vitit 2018 ishte më i dobët sesa ai në vitin 2015, kur Kosova i ishte shtruar këtij vlerësimi për herë të parë.
Rezultati i dobët në PISA, ishte i pritur dhe aspak befasues për shumë nga ekspertë të arsimit dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, për rezultatet e dobëta bëri përgjegjës Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, shkruan Koha.net.
“Është e pakuptimtë të priten rezultate më të mira kur Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk ka ofruar asnjë përkrahje në zbatim të kurrikulës, nuk ka ofruar tekste shkollore cilësore, aq më pak investime në infrastrukturë. Rezultati i mirë në PISA mund të vijë nga kurrikula dhe jo nga përgatitja e nxënësve për test një javë më herët”, tha Qehaja, duke shtuar se pikënisje e ndryshimit të rezultateve në testet të cilat mund t’iu nënshtrohet Kosova në të ardhmen, do të duhet të jetë instalimi i llogaridhënies në arsimin në vend.