Moti i ftohtë dhe me rreshje bore i 28 dhjetorit, nuk i pengoi qytetarët e shumtē prizrenas dhe mysafirēt e tjerë, të marrin pjesë në premierën e dokumentarit, “Amare Gil”, (Këngët Tona), të krijuesit dhe hulumtuesit Edis Galushi, që kishte të bēj me promovimin e këngëve autoktone rome të vjetra rreth 400-500 vite, shkruan InLajmi.
Të pranishmit nĕ sallën e Doku Kino, për afro dyzet minuta, dëgjuan tregime nga njohësit e gjuhës rome, të cilët analizuan dhe interpretuan tekstet e këngëve autoktone rome, derisa në prapavijë dëgjoheshin kitara, harmonika dhe tarabuka, të artistëve të muzikës, duke përformuar këngët; “Nashide”, “E qhay molinela Devle”, “O phuro Hamze”, etj, që u përcollën nēn ritmin e duartrokitjeve të publikut nē sallë. E veçanta e këtij evinementi, padyshim ishte rikomponimi i këngëve në fjalë nga kuarteti i njohur, “Pentagrami”, që nēn udhëheqjen e solistit Adem Morina, me ritëm të shkēlqyer modern përformoi disa këngë tradicionale rome, të shfaqura në dokumentar.
Duke i përshëndetur të pranishmit në sallë, autori i këtij dokunentari, Edis Galushi tregoi se mungesa e informatës tek qytetarët dhe të rinjtë, veçmas tek ata të komunitetit rom, për kēngēt e vjetra qytetare rome, e nxitën të hulumtoj dhe me mjaftë mund ta realizoj këtë dokumentar, ngase vetë historia e romëve është kryesisht gojore dhe se në këtë projekt e kishte të vështirë gjetjen dhe kompletimin e teksteve të këngëve, ngase me kalimin e kohës tekstet dhe mënyra e ekzekutimit kanë pësuar ndryshime. “Jam shumë i lumtur që me përkrahjen e MKRS-së, arrita ta përfundoj dhe sonte ta shfaqi premierēn e kētij dokumentari, ku qytetarët tanë do të kenë mundësinë të dëgjojnë dhe këndojnë këngë tjera rome pos “Chayorie shukarie” dhe himnit rom, “Gelem, Gelem”. Edhe pse jetojmë me shekuj në këtë vend, per fat të keq, shumë pak njerëz e njohin kulturën dhe gjuhën tonë. Ndaj, shpresoj që hulumtimet e tilla, do të jenë urë lidhëse që ta respektojmë dhe njohim më mirë kulturën e njëri-tjetrit, pa u paragjykuar”, përfundoi Edis Galushi. Në fund, organizatori i këtij evinementi kulturor, premtoi që këto këngë do të publikohen dhe incizohen në CD, me qëllim të kultivimit dhe ruajtjes së vlerave të kahershme rome. Osman Goranci/ InLajmi.