Prania e gazit, e energjisë elektrike dhe materialeve ndezëse (shkrepse, çakmakë etj.) në ambientet e shtëpisë përbën shkak për zjarre. Statistikat tregojnë se, rreth 500 zjarre në vit shkaktohen nga pakujdesitë në ambientet e shtëpisë.
Për këtë arësye duhet të keni parasysh disa masa praktike mbrojtëse.
- Tregoni kujdes në projektimin, në ndërtimin dhe pajisjen e shtëpisë me orenditë e nevojshme të përdorimit të përditshëm.
- Instalimet elektrike dhe ato të gazit duhet të bëhen nga specialistë të fushës. Kërkoni prejtyre të vendosin automatë elektrikë dhe detektorë të gazit, të cilët luajnë rolin e “rojës’’në shtëpi.
- Vendosni pajisjet e fikjes së zjarrit në shtëpi dhe mësoni si përdoren ato.
- Dyert e dhomave të mbahen të hapura që të orientoheni në rast rreziku.
- Fikni me kujdes dhe hiqni nga priza të gjitha pajisjet elektrike, mbyllni rubinetat e gazit kur bini për të fjetur ose kur largoheni nga shtëpia.
- Kujdesuni që të ketë ndriçim të mjaftueshëm në korridor, në banjë apo shkallët e pallatit.
- Shënoni numrat e telefonave për shërbime urgjence në vende të dukshme që të bëni në kohë thirrjen tuaj.
Çfarë duhet të bëni kur konstatoni vatra zjarri në ambientet ku jetoni?
- Reagoni menjëherë në rastet kur ndjeni erë të rëndë tymi, gazi, shkëndie elektrike etj.
- Lajmëroni të gjithë pjesëtarët e familjes.
- Mbyllni valvulat e gazit, ulni automatin kryesor për të ndërprerë energjinë elektrike.
- Hapni të gjitha dyert e dritaret për të ajrosur ambientet.
- Asnjëherë mos ndizni çelësat e dritave, mos ndizni shkrepëse ose çakmakë se mund të provokojnë shpërthime.
- Tregohuni të qetë dhe veproni me kujdes dhe pa panik.
- Përdorni mjetet e duhura për shuarjen e zjarreve.
- Kujdes! Mos përdorni ujë në rastet e defekteve në rrjetin elektrik.
- Nëse nuk dispononi mjetet e duhura për të shuar zjarrin dhe flakët janë përhapur, largohuni menjëherë nga këto ambiente dhe ndihmoni të tjerët (fëmijë, pleq apo të sëmurë) të largohen nga vendi i rrezikut.
- Mos u ktheni në vendin ku ka shpërthyer flaka.
- Njoftoni fqinjët apo shërbimet e specializuara për shuarjen e zjarreve.
Si veprohet gjatë daljes nga vendi i shpërthimit të zjarrit?
Duke vepruar të qetë dhe me shpejtësi shpëtoni veten dhe të tjerët nga lëndimet.
- Me të konstatuar zjarrin, njoftoni anëtarët e tjerë të familjes ose fqinjët.
- Gjatë largimit mos mbyllni dyert dhe dritaret.
- Mos përdorni ashensorin gjatë zbritjes, shkallët janë më të sigurta. Zbrisni me kujdes, mos shtyni të tjerët (fëmijë, pleq e të sëmurë) por ndihmojini ata.
- Jo vetëm gjatë qëndrimit por edhe në lëvizje, qëndroni të kërrusur sepse kështu eliminoni në masë të madhe mundësinë e thithjes së gazrave.
- Mbuloni gojën dhe hundën se ju ndihmon të merrni frymë më lehtësisht.
Ju duhet të mësoni të veproni edhe në kushtet ekstreme të bllokimit në ndërtesë.
- Përpiquni të njoftoni fqinjët dhe zjarrëfikësit me telefon, duke u dhënë atyre vendin se ku ndodheni.
- Kur tymi dhe zjarri janë të dendur, shtrihuni dhe lëvizni në drejtimet që ju ndihmojnë për
të dalë. Kur marrin flakë rrobat tuaja, mos vraponi por mundohuni të shuani flakën.
- Po kështu veproni edhe me personat që janë përfshirë nga flakët, mbështillini me çarçafë apo rroba të tjera, sepse kjo i shpëton nga djegia serioze dhe nga vdekja.
- Mund të jetë e nevojshme të jepni ndihmën e parë, ndaj duhet të dini të veproni me shpejtësi dhe profesionalizëm.
- Hidhni ujë të bollshëm mbi vendet e djegura.
- Mos ngacmoni flluskat në lëkurë duke i shpuar ato. Në rast se rrobat janë ngjitur në trup, hiqini me kujdes dhe jo shpejt pasi mund të shkaktoni lëndime të rënda. Kur konstatoni plagë serioze njoftoni shërbimin mjekësor të specializuar.
- Ndihmoni të lënduarit të marrin lëngjet e nevojshme si ujë, lëngje frutash, çaj etj.