Besnik Mustafa, djali i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, ka marrë një mesazh kërcënues dhe banal nga një person i panjohur në rrjetin social Facebook, shkruan InLajmi.
Për këtë rast, detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës, ku është theksuar se Mustafa e ka lajmëruar rastin në fjalë në polici.
“Prishtinë, 26.12.2019-15:55. Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se më datë 26.12.2019 rreth orës 23:20 ka pranuar një mesazh kërcënues në profilin e tij privat në rrjetin social Facebook nga një profil me emër mashkulli. Sipas ankuesit i dyshuari e kishte fyer, ofenduar në baza familjare dhe e kishte kërcënuar. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, thekson raporti.
Ndërkaq Mustafa e ka publikuar mesazhin në Facebook./InLajmi