Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Haki Abazi, ka thënë se Specialja është krijuar nga Hashim Thaçi dhe njerëzit e tij.
Sipas Abazit, është shumë e rëndësishme që të mos përzihet emri i UÇK-së me përgjegjësinë që kanë individët brenda periudhës kohore që e mbulon Gjykata Speciale.
“Diskutimin për Specialen shpesh e filloj se kjo është e krijuar nga Thaçi me njerëzit e tij dhe ne nuk kemi të bëjmë asgjë me këtë fakt mirëpo realiteti është që bashkësia ndërkombëtare ka investuar në këtë Gjykatë Speciale dhe tani intervistat e shumta, mbi 200 disa si dëshmitarë e disa si të akuzuar. Është një proces që Kosova e ka marrë përsipër duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare dhe është shumë e rëndësishme që të mos përzihet emri i UÇK-së me përgjegjësinë që kanë individët brenda periudhës kohore që e mbulon Gjykata Speciale, pavarësisht se ata thirren në emër të UÇK-së, duke tentuar që të fshihen prapa emrit dhe UÇK-së”, është shprehur ai.
Abazi shton duke thënë se veprimet e individëve janë ato që duhet drejtësia ndërkombëtare t’i shikojë dhe secili duhet një nga një të përgjigjet për ato që kanë bërë.
“Unë mendoj se veprimet e individëve janë ato që duhet drejtësia ndërkombëtare t’i shikojë dhe secili duhet një nga një të përgjigjet për ato që kanë bërë, askush nuk është fajtor pa u vërtetuar por unë vazhdimisht për vite të tëra kam thënë se patriotët shqiptarë që janë vrarë gjatë dhe pas luftës, nuk mund të konsiderohen krime të harruara, kushdo që i ka bërë ato, duhet të përgjigjet para drejtësisë dhe e vërteta duhet të vendoset në vend sepse në asnjë shtet, asnjë shoqëri nuk mund të vazhdojë tutje duke bashkëjetuar me krimin dhe kriminelët brenda vetes e aq më pak kur ata mund të kenë pozita publike, brenda institucioneve të shtetit. Shteti duhet të çlirohet në një formë ose tjetër nga ata që mund të kenë qenë pjesë e krimit gjatë apo pas luftës, shkruan Bota sot.
Nëse Gjykata Speciale do të bëjë një gjë të tillë, sigurisht që është e mirëseardhur, sepse drejtësia pavarësisht se ku vendoset, është e mirëseardhur për secilin”, ka potencuar Abazi i Vetëvendosjes.