Nuk mund të ketë luftë për barazi gjinore vetëm nga gratë, kjo luftë duhet të bëhet e përbashkët me burrat dhe djemtë. Kështu ka deklaruar kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, derisa ka marrë pjesë në debatin me gra dhe vajza për proceset e vendimmarrjes të organizuar nga Forumi për Udhëheqje dhe Diplomaci.
Kusari derisa ka folur për jetën, shkollimin dhe karrierën e saj politike tha se asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh përballë sfidave. Ajo shtoi se nuk ka barriera të cilat janë të pathyeshme, pasi sipas saj vetëm nevojitet vullnet dhe punë.
Para vajzave dhe grave nga e gjithë Kosova, kryetarja e Alternativës, tha se të gjitha vajzat dhe gratë në vendin tonë përballen me paragjykime posa të lindin.
Ajo tha se qysh e vogël e kishte kuptuar nga familjarët e saj se sa e rëndësishme për ta është që në familje të ketë një djalë, e këtë ajo tha se e kupton për shkak të paragjykimeve që ekzistojnë nga prindërit.
Ajo ka folur edhe për vendimin e saj për t’u futur në politikë, ku në vitin 2009 kishte garuar për të qenë kryetare e Komunës së Gjakovës. Ajo tha se ishte përballur me shumë paragjykime, por që asnjëherë nuk i kishin bërë përshtypje, pasi sipas saj kishte qenë e vendosur të ndiqte ëndrrat e saj.
Kusari tha se humbja që kishte pësuar nuk e kishte zmbrapsur atë, pasi më pastaj kishte marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme ku kishte dal gruaja më e votuar.
Kusari tha se edhe kur kishte marrë pozitën e ministres së Tregtisë dhe Industrisë dhe të zëvendëskryeministres kishte punuar në vazhdimësi që sigurohet se vajzat dhe gratë me të cilat ka punuar t’iu hap rrugët. Ajo përmendi se në kohën kur kishte shërbyer si ministre kishte emëruar sekretare të përgjithshme një grua, e cila kishte qenë e vetmja në të gjitha ministritë.
E para e Alternativës, që do të jetë pjesë edhe e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës tha se kishte punuar shumë për të vendosur kuotë gjinore nëpër borde, e për këtë thotë se do të angazhohet që të shoh se sa po implementohet ky ligj.
Ndërkaq, drejtoresha e Forumit për Udhëheqje dhe Diplomaci, Njomza Emini, tha se bashkëpunimi i grave mes vete ndihmon që të rritet prezenca e grave në jetën publike.
Ajo tha se projekti i Forumit për Udhëheqje dhe Diplomaci duhet t’i inkurajojë të gjitha gratë që të arrijnë barazinë finale.
Në këtë tryezë ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Kroacisë në Kosovë Danijela Barisic, e cila tha se forume të tilla janë të mirëseardhura, ku gratë kanë mundësi që të bisedojnë për të gjitha problemet me të cilat përballen.
Kurse, gruaja e zëvendësambasadorit të ShBA-ve në Kosovë, Cory Jacobson, tha se nevojitet zëri i grave jo vetëm në politikë, po edhe në shkencë, edukim, derisa tha se inkurajon të gjitha gratë që të ndjekin ëndrrat e tyre, shkruan RTL Live.
Kohëzgjatja e projektit të Forumit për Udhëheqje dhe Diplomaci është pesë muaj dhe përfshin aktivitete të ndryshme duke përfshirë dy javë Akademinë e Udhëheqjes me trajnime dhe punëtori të ndryshme në fushat e lidershipit.