Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u ka uruar të gjithë besimtarëve Kërshëndellat, duke iu uruar një festë sa më të lumtur duke mos harruar solidaritetin dhe ndihmën për të varfërit e të diskriminuarit.
Ai ka thënë se Krishtërimi ia përkujton njeriut kufijtë e individualizmit dhe të metat e egozimit, dhe e drejton atë nga e mbara, shkruan InLajmi.
“Sot në mbrëmje shumë kisha në të gjithë botën do të mbajnë meshën për lindjen e Krishtit, shumë urime do të shkëmbehen, e fëmijët do të marrin dhurata. Mes tyre edhe bashkëkombasit tanë katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë shqiptarë, në Ballkan apo diasporë. Po ashtu, shumë prej popujve miq, një pjesë e të cilëve ndihmuan ushtarakisht e financiarisht Kosovën të çlirohet e të ecë përpara, sot në mbrëmje festojnë. Ne shqiptarët festat i festojmë bashkë, andaj miq të dashur të krishterë, mos harroni ta ruani një ëmbëlsirë të vogël edhe për ne”, shkruan Kurti./InLajmi/