Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti po merr pjesë në Pritjen e Krishtlindjeve.
Kurti i pyetur nga gazetarët për koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës është shprehur falënderues për lutjet e Don Lush Gjergji për arritjen e koalicionit.
“E falënderoj shumë Don Lush Gjergjin që është aktivist i çështjes kombëtare qysh në vitet e 90-ta, veprimtar, besimtar, punëtor për komb e fe që nuk është ndaluar asnjëherë.E falënderoj për urimin që ne sa më parë t’i mbyllim negociatat tona dhe të dalim me një qeveri të re siç e ka kërkuar populli ynë në zgjidhjet e fundit”, tha Kurti.
Ai më tutje është shprehur se në rrugën për arritjen e koalicionit është një gur në rrugë, por LDK-në e ka quajtur partner qeverisës.
“Në këtë rrugën e këtyre bisedimeve me partnerin tonë qeverisës, jemi kah fundi, kemi një gur në rrugë, nuk është as shkëmb e as guralec, mirëpo me urimet më të mira të Dom Lush Gjergjit, lutjet e të gjithëve dhe përkushtim mendoj se do t’ia dalim me sukses.Ju kam thënë më herët se kur t’i kemi rezultatet konkrete do t’i bëjmë publike ato, por derisa vazhdojnë negociatat duhet të lëmë procesi t’a ketë të vetën”, tha Kurti më tutje.
Ai ka konfirmuar gjithashtu se ka pasur takime dhe kontakte të vazhdueshme, duke thënë se lajm do të jetë vetëm arritja e koalicionit, shkruan lajmi.net.
“Kontaktet, komunikimet, takimet nuk janë ndalur dhe vazhdojnë, edhe sot kemi kontaktuar, edhe dje, edhe pardje edhe nesër, por takimet, kontaktet, thirrjet e bisedat nuk janë lajm, por rezultati që po e presim me dëshirë ne”, tha Kurti.