Lidhja Demokratike e Kosovës është duke shënuar sot 30 vjetorin e themelimit.
Në një organizim të bërë nga LDK, fjalën mori i pari i kësaj partie, Isa Mustafa.
Musafa ngriti lartë rolin e partisë së tij, duke thënë se gjithnjë ka kontribuar për Kosovën, para dhe pas luftës.
“Si parti shtetformuese e institucionale, LDK ka organizuar shpalljen e pavarësisë, aprovimin e Kushtetutës, referendumin për pavarësi, ka propozuar shenjat e shtetit të Ksoovës, himnin, flamurin por edhe ka nisur përfaqësimin diplomatik anembanë botës. Derisa Kosova ishte nën okupimin ushtarak e policor të Serbisë, LDK ka organizuar funksionimin e shtetit dhe ka mbajtur gjallë arsimin shqip në të gjitha nivelet. Shumë anëtarë të LDK-së janë flijuar për pavarësinë e Kosovës. LDK vazhdon me kontributet e saj të luaj një rol vendimtar në fuqizimin e Kosovës edhe pas presidentit Rugova, në krye me Fatmir Sejdiun që ishte kryetar i LDK-së nga viti 2006. Kosova shpalli pavarësinë dhe LDK drejtoi qeverinë e Kosovës nga fundi i vitit 2014, deri në vjeshtë të 2017 duke i dhënë vendit një drejtim demokratik, duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe rritjen e saj. Duke bërë rritjen e buxhetit, ku nënshkroi kontratën e parë kontraktuale me BE-në, për Stabilizim Asoccimin dhe përmbushi thuajse të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. LDK dëshmoi qartë se është parti që di të drejtojë shtetin pa korrupsion, se di dhe mund të ndërtojë marrëdhënie të forta me BE-në dhe ShBA-në”, tha Mustafa.
Kryetari i LDK-së theksoi se në këto 30 vjet, LDK i ka shërbyer qytetarit të Kosovës përmes fuqisë përfaqësuese që i është dhënë nga simpatizantët dhe votuesit e saj.
“Udhëheqja e LDK-së gjithherë ka mbajtur kursin shtetformues të qendrës së djathtë dhe ka arritur të kalojë sfida shumë të rënda dhe të rëndësishme të vendit. LDK mburret me politikanët dhe udhëheqësit e pashoq që i kontribuuan vendit si anëtarë dhe veprimtarë të LDK-së, mburret me programin politik dhe me familjen evropiane të EPP-së, si forca më e madhe politike në Evropë.LDK beson se gjithë qytetarët e Kosovës do të jenë përherë mirënjohës ndaj presidentit Rugova, për udhëheqjen e tij të urtë dhe të vendosur, do t’u jemi poashtu mirënjohës themeluesve të LDK-së, të cilët një pjesë u flijuan për pavarësinë e Kosovës.Pa dashur t’i veçojë, dua të përcjellë tek familjet e tyre dhe populli i Kosovës ndjenjën e përuljes përpara jetës dhe veprës së gjithë atyre që në kohën e rrethanave të ndryshme punuan dhe sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Veprimtaria e tyre në shërbim të Atdheut njihet nga qytetarë, ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që të ndriçohen rrethanat e vrasjes së tyre, por edhe të rasteve të shumta të tentim-vrasjes të shumtë prej anëtarëve të LDK-së. E vërteta është borxh ndaj tyre, familjarëve, por edhe ndaj të ardhmes së Kosovës.LDK ka ditur t’i mposhtë pengesat dhe hendeqet e vëna për të penguar realizimin e pikëpamjes për shtet demokratik të Kosovës. Me vullnetin , idenë dhe këmbëngulësinë unike ka arritur të bindë botën se është kompromis i gjithë shqiptarëve që pavarësia e Kosovës garanton paqe dhe stabilitet në Kosovë”, shtoi Mustafa.
Ai gjithashtu tha se themelet e LDK-së të vëna 30 vjet më parë janë dëshmi të forta se LDK është krijuar për të përfaqësues interesat e qytetarëve të Kosovës dhe se LDK ka ruajtur dhe do ta ruajë deri në fund gjithmonë përcaktimin e saj.
“Frytet e këtij përkushtimi pro-perëndimor të LDK-së, populli i Kosovës i njeh dhe i çmon lartë.Është e zakonshme që të theksohen momentet krenare për një parti siç është LDK, por në tërë këtë ecje të krenarisë kishim një fatkeqësi politike që na ndodhi në Kuvendin e vitit 2006 kur LDK u nda në dy pjesë, jo si pasojë e diferencave ideologjike por për shkak të luftës për pushtet brenda partisë.Si pasojë e kësaj në vend të 47 deputetëve që kishim në vitin 2001-2004, nga partia e parë që ishim ramë në partinë e dytë në fillim të vitit 2006Sfidat duhet kaluar ndryshe dhe jo me përçarje brenda partisë.Është dëshmuar se LDK di të balancojë ndërmjet meritave dhe përvojës së themeluesve të LDK-së, gjeneratës së mesme dhe gjeneratës së re, të krijojë hapësirë, të përfshijë të rinjtë dhe gjenerata t tjera e veçmas gratë”, tha Musafa.
Lideri i LDK-së foli edhe për zgjedhjet e fundit në Kosovë, ku tha se janë të interesuar për të arritur këtë koalicion me Vetëvendosjen, duke i ditur dallimet ideologjike dhe kulturën politike me këtë parti, shkruan Indeksonline.
“Ne vlerësojmë votën e qytetarëve, por edhe besimin e tyre drejt LDK-së prandaj i mbetemi besnik kësaj vote. Si rezultat i zgjedhjeve të fundit, LDK ka treguar vullnet që të qeverisë bashkë me VV-në. Pjesëmarrja e LDK-së dhe ndarja e përgjegjësive në një qeverisje të tillë kemi vlerësuar se duhet të jetë në harmoni me besimin e qytetarëve që kemi marrë në këto zgjedhje.LDK po bën përpjekje për të arritur marrëveshje me VV-në që i siguron Kosovës një qeveri stabile katër vjeçare dhe harmonizim të qeverisjes nga LDK dhe VV.Në përpjekjet tona për të arritur marrëveshje jemi të vetëdijshëm për dallimet ideologjike dhe kulturën politike si dhe për të kaluarën, por duke respektuar vullnetin qytetar për ndryshime po bëjmë përpjekje të gjejmë rrugë bashkë drejtë qeverisje ashtu siç gjetëm rrugë për opozitë shumë të suksesshme gjatë qeverisje së kaluar të PAN-it.Qasja jonë bashkë me VV-në është që të ndajmë përgjegjësitë në harmoni me votën, të trajtojmë pozitat dhe përgjegjësitë dhe të sigurojmë një balancë të domosdoshëm të pushtëve në mënyrë që t’i kontribuojmë demokracisë së vendit.LDK është parti e parë pluraliste në Kosovë, ka përvojë dhe traditë demokratike.Kemi marrë përgjegjësi për Kosovën në të gjitha fazat e pasluftës dhe para luftës dhe më së paku meritojmë apo kemi nevojë për presion gjatë arritjes së kësaj marrëveshje.Aq më pak presion nga ata që gjithmonë kanë qenë kundër LDK-së dhe gjithmonë kanë mbrojtur portat e partive të tjera.Këto parti i kanë mbrojtur qoftë me para, apo në baza ideologjike. Kemi dëshira që pa këtë presion dhe pa fushatë kundër LDK-së, të arrijmë një koalicion meritor .LDK ka lexuar qartë rezultatet e zgjedhjeve të gjashtë tetorit dhe po sillet me përgjegjësi maksimale ndaj këtyre rezultateve, prandaj mendojmë se edhe VV duhet të lexojë rezultatet dhe të pranojë se jemi parti që kemi dalë thuajse barabartë nga këto zgjedhje.Jemi pajtuar që pozita e kryeministrit ta bëjë partnerin tonë, që nga hyrja në fushatë në këto zgjedhje.Jemi të interesuar që të japim kontributin tonë, të krijojmë parakushte dhe ta mbajmë Kosovën ai aleat besnik të NATO-së dhe të mbajmë miqësinë e përhershme me ShBA-të, çka është edhe amaneti i presidentit historik Ibrahim Rugova”, përfundoi ai.