Anëtari i Nismës Socialdemokrate, Dardan Gashi ka deklaruar se sjelljet e VV-së e kanë dëmtuar mundësinë për një partneritet në qeverinë e ardhshme. Gashi nuk e ka përjashtuar mundësinë që AKR-ja e Behgjet Pacollit të votojë qeverinë e Kurtit, duke thënë se janë dy parti të ndryshme. Gashi ka thënë se kanë pasur takime me LDK-në më herët por jo edhe me Vetëvendosjen.
Koalicioni parazgjedhor mes Fatmir Limajt dhe Behgjet Pacollit pas përpjekjeve të shumta ka arritur që të kalojë pragun dhe të ketë gjashtë ulëse në Kuvend.
Dy nga ulëset do t’i takojnë AKR-së, e cila është e hapur për bisedime me VV-në e Albin Kurtit që të jenë pjesë e qeverisë.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri në detyrë i Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka thënë se nuk kanë pasur takime me VV-në rreth futjes në qeverinë e ardhshme.
“Hala jemi larg prej koalicionit, në kuptim formal ne kemi pasur takime edhe më herët në nivel më të lartë me LDK-në, por jo me VV-në”, është shprehur Dardan Gashi.
Ai ka thënë se sjelljet e fundit të VV-së janë të papranueshme, pasi njëherë kanë tentuar t’ua grabisin votat e pastaj të shajnë e ofendojnë.
“Tash i presim certifikimet e rezultateve por natyrisht sjelljet e VV-së nuk lënë hapësire optimiste, janë të papranueshme sepse njëherë tentojnë me grabitë e pastaj ofendojnë e shajnë këto nuk janë shenja të mira për një partneritet të mundshëm”, ka thënë Gashi.
Gashi ka thënë se edhe pse janë në koalicion me AKR-në, prapëseprapë janë dy parti të ndryshme.
“Mos harroni që ne jemi dy parti të ndryshme në këtë koalicion, sigurisht se partia e Pacollit ka të drejtë dhe mund të kenë kontakte me kë të donë, edhe mund të kenë pasur kontakte me VV por ne si koalicioni nuk kemi pasur kontakte”, është shprehur ai.
Anëtari i Nismës, tha se shpreson që vendimet për veprimet e mëtutjeshme t’i marrin bashkë me AKR-në.
“Në koalicion kemi hy që të qëndrojmë bashkë edhe pas zgjedhjeve por nëse njëri nga partnerët dëshiron me ndryshu kurs askush nuk mundet me ndalë edhe me dashtë, unë shpresoj që do të rrimë bashkë dhe vendimi në fund do të jetë kolektiv ose të vendosim të rrimë në opozitë ose në qeveri. ”, është shprehur zëvendëskryeministri në detyrë.
Ai po ashtu ka thënë se do të shohin sa vota ka koalicioni që pretendon të formojë qeverinë për të vendosur nëse do të hyjnë në qeveri ose jo, për Gazetën Express
“Ne si Nismë nuk kemi diskutuar ndonjë bashkëpunim me VV-në sepse deri tash kemi qenë në betejën e ruajtjes së mandatave dhe kjo tash u siguru, tash po presim sa vota i ka koalicioni që pretendon me formu qeverinë edhe cili do të jetë roli jonë nëse do të kemi negociata të tilla dhe cili jo, mirëpo nuk është që me çdo kusht të hyjmë në qeveri”, ka thënë Gashi.