Dy nxënës kanë mbetur të vrarë dhe tre të plagosur nga një sulm me armë nga bashkëmoshatari në një shkollë të mesme në Kaliforni.
Pasi qëlloi mbi shokët e shkollës, sulmuesi 16 vjeçar plagosi veten, pikërisht në datën e tij të lindjes. Viktimat e sulmit tragjik janë një vajzë 16 vjeçare dhe një djalë 14 vjeçar.
Si pasojë e të shtënave mbetën të plagosur 4 nxënës, mes tyre dhe sulmuesi. Policia arriti ta identifikojë atentatorin pasi mbërriti në spital.
Menjëherë pas ngjarjes, autoritetet e mbyllën shkollën dhe institucionet e tjera arsimore aty pranë.
Sulmi ndaj nxënësve të gjimnazit Saugus në Santa Clarita në veri të Los Angeles ndodhi vetëm pak minuta përpara fillimit të procesit mësimor.
Pamjet e para televizive treguan zyrtarë policorë në vendin e ngjarjes dhe të plagosurit që largoheshin me autoambulanca. Nxënësja Malena Peters tregon se si i shpëtoi sulmit.
“Erdha me vonesë në shkollë së bashku me mamanë time dhe rrugës pamë fëmijë që po vraponin e bërtisnin apo dhe prindër të tjerë që u kthyen mbrapsht. Aty e mësuam se çfarë kishte ndodhur për një sulmues aktiv në kampus” – tregon nxënësja Malena Peters, transmeton VOA.
Oficerët vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e plotë dhe motivet e ngjarjes, ndërsa të gjithë shkollat dhe banesat e zonës u mbyllën për arsye sigurie.