Kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me deklaratën e dhënë nga kryeministri serb, Aleksander Vuçiq, i cili ka thënë se futja e NISMA-s në Kuvend, është lojë e LDK-së për të dëmtuar Albin Kurtin.
Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se jo rastësisht Aleksandar Vuçiqi ishte ministër i Propagandës në kohën e Millosheviqit dhe se pikërisht këtë propagandë po e bën më së miri edhe tani.
Postimi i saj i plotë:
Jo rastësisht Aleksandar Vucic ishte ministër i propagandës në kohën e Milloshevicit. Pikërisht këtë, propagandën pra, e bënë më së miri. Kështu, për fat të keq, ka arritur të mashtrojë disa diplomatë anekënd botës, të cilët i besojnë lotëve të tij të krokodilit dhe aktrimit të tij dramatik sa herë flitet për Kosovën. Por, askush në Kosovë nuk duhet të bie pre e konspiracioneve të Vuçiqit.
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka ndërtuar dhe ka insistuar për parimin në bazë të të cilit kushdo që i fiton zgjedhjet edhe e propozon Kryeministrin. LDK nuk i punon askujt pas shpine e aq më pak nëpërmjet lojërave që janë produkt i mendjeve konspiracioniste siç është ajo e Vuçiqit. Të gjithë ne në LDK jemi të angazhuar që Qeveria e ardhshme LDK-VV të krijohet si partneritet mes të barabartëve dhe si marrëveshje ku mirëbesimi është alfa dhe omega e bashkëpunimit tonë. Vuçiq dhe disa të tjerë që po përpiqen e po investojnë në prishjen e një partneriteti të tillë do të përfundojnë duarthatë, ka shkruar ajo. /InLajmi


















