Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër M.A., shtetas i Sirisë, i cili gjendet në paraburgim nga data 22.08.2018, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri M.A., me datë 22.08.2019, rreth orës 04:00 në Prizren, është vërtetuar se merret me kontrabandim me migrantë, në atë mënyrë që paraprakisht ka kontaktuar me të dëmtuarin A.K., përmes telefonit gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë me datat 16.08.2019 dhe 19.08.2019, ashtu që janë marrë vesh që i njëjti t’i dërgojë deri në kufirin e Kosovës në Pikëkalimin kufitar në Vërmicë, ku më pas të dëmtuarit kanë kaluar jashtë vendit të përcaktuar përmes malit dhe kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, ku më pas i njëjti i ka pritur në vendin e caktuar dhe me automjet i ka bartur deri në qytetin e Prizrenit”.
“Më pas, në afërsi të një hoteli është ndaluar nga ana e patrullës së Policisë dhe me kontrollimin paraprak të automjetit është vërtetuar se në automjet kanë qenë tre shtetas të huaj dhe atë A.K., O.S., dhe A.I., të cilët nuk posedonin asnjë dokument identifikues, me ç’rast është vërtetuar se dy prej tyre janë nga Siria ndërsa i treti është shtetas Irakian, të cilët më pas janë shoqëruar në stacionin policor në Prizren”, transmeton Klan Kosova.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.