Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende po pret për vendimin e Gjykatës Supreme në lidhje me ankesat e djeshme nga Lëvizja Vetëvendosje për votat e ardhura nga mërgata.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se aktualisht nuk mund të shpallen rezultatet përfundimtare nga se duhet të shqyrtohen në fillim ankesat që janë parashtruar në institucionet tjera.
“Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund t’i shpallë rezultatet përfundimtare sepse duhet të presim përfundimin e të gjitha çështjeve që mund të jenë parashtruar në institucionet tjera. Pra, para se të procedojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtare KQZ-ja kërkon konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar apo vendosur. Vetëm pasi të kemi këto konfirmime, KQZ-ja mund të shpallë rezultatet përfundimtare”, ka thënë Elezi.
Sipas Elezit tani kanë mbetur vetëm ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje, në Gjykatën Supreme.
“Jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me ankesën që është parashtruar”, ka deklaruar ai.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje është ankuar dje në Gjykatë Supreme për 1806 fletëvotimet e diasporës, të cilat nuk janë numëruar fare. /InLajmi