Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në rast se partia e tij nuk arrin të bëjë marrëveshje për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë shkon në opozitë.
Në një intervistë për televizionin 21, Mustafa ka thënë se në asnjë rast LDK-ja nuk shkon me subjekte të tjera, dhe se nuk do të shfrytëzojë asnjë rrugë tjetër, asnjë koalicion tjetër.
“Vet fakti që ne po zhvillojmë negociata, kjo tregon se puna nuk është kryer, mirëpo kur zhvillon negociata atëherë s’mund të shpallësh të kryer punën sepse njerëzit mund të thonë gjithfarë. Këtu s’mund të ketë fitues, ose dy palët do të jenë fituese, ose nuk do të kemi marrëveshje”, ka thënë Mustafa.
Megjithatë ai ka thënë se me partinë e Albin Kurtit ende nuk kanë disktuar për çështjen e ndarjes së posteve ministrore. KA thënë se nuk do të ishte mirë që njëra parti të marrë një fushë të caktuar dhe partia tjetër fushën e caktuar, sepse atëherë, sipas tij, do të bëheshin dy qeveri brenda një qeverie, gjë që Mustafa ka thënë se nuk do ta dëshironte.
“Nuk kemi biseduar me Vetëvendosjen, unë kam parë deklarata të ndryshme, shkrime të ndryshme se cila ministri duhet t’i takojë cilës parti, por këto janë më tepër çështje dëshirash sepse duhet të ulemi dhe të mendojmë se duhet ta marrim përgjegjësinë proporcionale”, ka thënë Mustafa.
Më tutje, Mustafa është shprehur se sipas peshës që ka pozita e kryeministrit, LDK-së duhet t’i takojnë më shumë ministri.
“Po tani ashtu duhet të jetë, pasi pozita e kryeministrit peshon më tepër sesa ministritë por prapë do ta diskutojmë si çështje dhe shohim se si të bëhet ndarja sepse kemi kryeministrin, zëvendëskryeministrin, meqenëse kemi më pak ministri, kemi nevojë për më pak zëvendësministra. Nuk bëjmë koalicion me PDK-në, e kemi vendim të Këshillit të Përgjithshëm të bëjmë negociata me VV-në sepse ekziston vullnet i përgjithshëm”, është shprehur Mustafa.