Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj po merret ende me akuza për njerëz që ai beson se punuan për ndarje të Kosovës.
Edhe sot, kur bëri homazhe tek shtatorja e heroit, Zahir Pajaziti, ai u përkujdes të përmendte emrat e presidentit Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Madje, Haradinaj në këtë kontekst përmendi edhe emrin e ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
“Plot zyrtarë të Kosovës që janë rreshtuar pro ndarjes në emër të shkëmbimit të territoreve kanë bërë gabim të madh, qoftë Vlora, presidenti Thaçi, kryeministri Rama dhe të tjerë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj nuk hezitoi të përmendte akuza të rënda, teksa tha se të njëjtit kanë qenë pjesë e kampanjës për ndarje, përmes shkëmbimit të territoreve.

“Ky gabim nuk ua ndalon atyre që në situata tjera t’i shërbejnë vendit. Nuk është e ndaluar. Kanë qenë pjesë e kampanjës për ndarje përmes shkëmbimit të territoreve, ajo [Çitaku], Thaçi, Rama, Vuçiq”, tha Haradinaj, shkruan lajmi.net.
Kujtojmë se partia e Haradinajt, AAK-ja doli e katërta në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën më 6 tetor.
Ai madje nuk mori as përafër votat që gjatë fushatës shpresonte se do i fitonte.