As ky fundvit nuk pritet t’ua sjellë kosovarëve liberalizimin e vizave, pasi përpos Gjermanisë asnjë nga shtetet tjera të BE-së nuk është pro heqjes së vizave për Kosovën.
Sipas njohësve të integrimeve, gjasat janë minimale që vizat të hiqen edhe gjatë vitit 2020, mirëpo një shpresë mbetet shteti gjerman, i cili do ta marrë udhëheqjen e Presidencës së BE-së nga 1 korriku i vitit të ardhshëm.
Njohësi i çështjeve integruese, Besnik Vasolli, duke folur për heqjen e vizave për “Zërin” ka thënë se autoritetet kosovare duhet ta fuqizojnë punën e tyre në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, me qëllim që shtetet anëtare të BE-së t’ia japin Kosovës dritën e gjelbër për liberalizim.
“Kosova duhet të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, paradite dhe pasdite, dhe të bëjë atë jo për shkak të liberalizimit të vizave, po për të përmirësuar gjendjen në vend, e cila ka arritur kulmin. Një qasje serioze ndaj këtij fenomeni do të ishte bindëse për të gjithë. E këtu përgjegjësinë më të madhe e ka Prokuroria e vendit dhe gjykatat, shpresoj që të kemi një energji më të theksuar në zgjedhjen e rasteve (pa paragjykuar përfundimin e tyre) dhe kështu të arrijmë të prezantojmë që jemi shoqëri e bazuar në sundim të ligjit”, ka thënë Vasolli.

Ndërkohë ai ka theksuar se Kosova tashmë ka humbur të gjitha afatet që liberalizimi të ndodhë gjatë këtij viti, mirëpo ka shtuar se nëse Kosova shënon rezultate konkrete në përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe progres në dialog me Serbinë, ka gjasa që heqja e vizave të ndodhë në vitin vijues, shkruan Blic.
“Sivjet nuk ka shans të ndodhë liberalizimi i vizave, vitin e ardhshëm nëse tregojmë përkushtim për luftë kundër fenomeneve korruptive, por edhe përkushtim ndaj përmirësimit të marrëdhënieve rajonale, me theks te normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, ka deklaruar ai.