Fiks 21 vetura janë paraparë që të blihen këtë vit nga buxheti qendror i shtetit. Xhipa të mesëm, xhipa luksoz, vetura të vogla e një limuzinë po u nevojiten disa institucioneve.
Agjencia Qendrore e Prokurimit – AQP, ka hapur ofertë për blerjen e këtyre automjeteve ku ka parashikuar të shpenzojë deri në 590 mijë euro.
Në këtë blerje bëjnë pjesë pesë lloje të veturave: vetura të vogla 3 copë, vetura të mesme 5 copë, limuzina 2 copë, xhipa të mesëm 9 copë, xhipa luksoz 2 copë.
Veturat e vogla dhe të mesme janë paraparë të blihen për disa institucione të ndryshme, si për disa institucione shëndetësore, Avokatit të Popullit, pasi deri më tani kanë pasur në posedim disa vetura të tipit Nivë.
Dy limuzina janë paraparë të blihet për Universitetin e Prishtinës. Xhipat e mesëm janë paraparë për: ministrinë e Kthimit, Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Kuvendin Komunal të Skenderajt, Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Qendrën e Shërbimit Mendorë në Pejë dhe Komunën e Drenasit.
Xhipat luksozë janë paraparë të blihen një për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave dhe një për Inspektoratin Policor të Kosovës, shkruan Lajmi.net..
Oferta do të jetë e hapur deri me 13 nëntor.
Pos kompletimit kompletë të dokumentacionit, kritere bazë për këtë tender është caktuar çmimi më i lirë, që do të vlerësohet me 75 pikë, dhe shpenzimet mesatare të karburantit në 100 kilometra në ciklin e përzier urban dhe ndërurban (kombinuar) me 25 pikë.