Përmbajtjet e teksteve të reja shkollore u cilësuan me shumë gabime nga ana e njohësve të arsimit, mësimdhënësit si dhe nga prindërit. Vështirësi në definimin e përmbajtjeve të këtyre tekste nuk patën vetëm nxënësit por edhe mësimdhënësit. E zakoni i vjetër i gjuhës diskriminuese në tekstet mësimore, nuk mungoi as kësaj radhe.
E tillë u cilësua edhe gjuha e përdorur në librin e Gjuhës Shqipe të klasës së dytë, ku një nga personazhet e tregimit që quhet Kamila përshkruhet si një picirruke me syza të mëdha që duket si fenerë antimjegull. Ky përshkrim nga autori për personazhin Kamila, u cilësua si diskriminues për nxënësit që mbajnë syze dhe mund të ndikoj në vetëbesimin e tyre si dhe mund të nxit bullizëm mes nxënësve.
Besmira Mustafa, mësimdhënëse në ciklin e nivelit fillor tha për InLajmin, se përmbajta e teksteve shkollore është e mbingarkuar dhe me përmbajte që nuk mund të kuptohen nga mosha e nxënësve.
“Shpesh herë për moshën e nxënësve tekstet janë të komplikuara, kanë mbingarkesë të informacioneve që nxënësit e kanë të vështirë t’i kuptojnë, për arsye se janë terma që nuk mund të kuptohen në moshën që ata janë”, tha Mustafa.
Ajo tutje shtoi se në këto tekste ka raste kur është e pranishme edhe gjuha diskriminuese dhe shpesh ka pasur edhe reagime të prindërve për këto përmbajte.
“Ka pasur raste të gjuhës diskriminuese në tekstet shkollore, sidomos në baza gjinore dhe unë si mësimdhënës është dashur që të iu shpjegoj nxënësve që nuk duhet të bëhen dallime të tilla, shpesh kemi edhe reagim nga ana e prindërve për këto përmbajte”, shtoi tutje mësimdhënësja.
Edhe prindërit janë të shqetësuar për përmbajtjen e gjuhës diskriminuese dhe jo adekuate për moshën e fëmijëve të tyre.
“Ka pasur raste kur kam hasur në gabime nëpër tekste por edhe përmbajtje diskriminuese gjinore p.sh kur shpjegohet për rolet brenda familjes paraqitet pozita superiore ndaj gjinisë mashkullore karshi asaj femërore ku gruas/vajzës u referohen si më të dobëta , duhet të kryej punë shtëpie ose edhe tek zgjedhja e profesionit tipik për femra etj”, kështu u shpreh për InLajmin, një nënë e cila deshi të mbetet anonim.
Ajo tutje shtoi se përveç që e ka këshilluar vajzën që nuk duhet të bëhen dallime të tilla, nuk ka bërë ndonjë ankesë konkrete, mirëpo përmes këtij prononcimi për InLajmin, bëri thirrje që tekstet mësimore të rishikohen nga Ministria e Arsimit në mënyrë që të mos ketë përmbajte të tilla të papërshtatshme për nxënësit.
E të njëjtin shqetësim e ka edhe Besmirja, e cila për InLajmin se duhet gjithmonë të iu sqaroj fëmijëve të tij për përmbajtjen e teksteve sepse ato nuk vetëkuptohen nga nxënësit e klasës së tretë.
“Tekstet mësimore kanë përmbajte që nuk kuptohen nga nxënësit p.sh fëmijët e mijë janë në klasë të tret edhe mua më duhet që të iu sqaroj përmbajtjet shpesh herë sepse nuk i kuptojnë termet që janë përdorë nga autori i librit”.
Leonora Perçuku, mësimdhënëse dhe njëkohësisht njohëse e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, tha për InLajmin, se ne përpilimin e teksteve të reja ka shumë gabime.
“Përkundrazi tashme është definuar edhe çështja e gjinisë. Gjithmonë kur kemi te bëjmë me çështje gjinore autoret i drejtohen edhe gjinisë femërore sepse deri tani është përgjithësuar gjinia i është drejtuar vetëm gjinisë mashkullore. Kam vërejtur vetëm një rast të përmbajtjes se papërshtatshme për moshën e fëmijës në librin e klasës së gjashtë”, tha mësimdhënësja.
Ndërsa, psikologjia Albulena Mazreku, tha për InLajmin, se fëmijët duhet të këshillohet të lexojnë libra të zhanreve të ndryshme, jo vetëm ata që i kanë të obliguara nga shkolla.
“Fëmijëve duhet t’u sygjerohet që të lexojnë sa më shumë libra të zhanreve të ndryshme sepse mund t’i ndihmojnë fëmijët që të zhvillojnë imagjinatën, po ashtu edhe motivimin për të lexuar gjithnjë më shumë. Shumë studime tashme kanë konfirmuar se leximi ka efekt mjaft pozitiv tek fëmijët, sepse leximi ndihmon fëmijët dhe prindërit të krijojnë një lidhje të afërt, zbut fëmijën nëse është i shqetësuar , rrit përqendrimin dhe aftësinë e të menduarit”, tha Mazreku për InLajmin.
InLajmi, ka provuar që të kontaktoj zyrtarët adekuat nga Ministrinë e Arsimit për këtë çështje, mirëpo këta të fundit nuk janë përgjigjur pyetjeve tona pavarësisht insistimit dhe kohës së gjatë që kemi pritur për kthimin e përgjigjve rreth kësaj teme. /InLajmi/