Qeveria e re e Kosovës pritet të mos ketë më shumë se 12 ministri e më shumë se dy zëvendësministra për secilën prej tyre.
Struktura e re qeverisë, sipas njohësve të çështjeve politike, do të jetë një sfidë për koalicionin qeverisës, ngase aktualisht ka shumë ministri dhe shumë të punësuar si staf civil.
Gjithashtu problematike, sipas tyre, do të jetë edhe shkrirja e pozitave të dyfishta, siç janë ato të sekretarëve permanentë, zyrave për informim, që sipas tyre, mund të ketë risistemim me ulje pozitash.
Koalicioni VV – LDK, fitues të zgjedhjeve të 6 tetorit, do të shkurtojë ndjeshëm kabinetin qeveritar. Sipas njohësve të çështjeve politike, ulja e numrit të ministrive nënkupton edhe zvogëlimin e administratës shtetërore, rrjedhimisht asaj publike.
Arton Demhasaj, nga Organizata “Çohu”, tha se shkrirja e ministrive përkatëse në më pak ministri nuk është aq problem sa do të jetë rregullimi i çështjes së shërbyesve civilë:
“Ne e dimë se secila ministri ka departamente të administratës ose të burimeve njerëzore apo edhe zyrave për informim, gjitha këto, dhe në momentin kur dy- tri ministri bashkohen në një ministri atëherë çfarë do të ndodhë me këto njësi, dhe ky mund të jetë problemi kryesor. Nuk është zgjidhje largimi nga puna, sepse ata kanë kontratë dhe ata mund ta padisin shtetin për shkëputje të kontratës të njëanshme, por njëkohësisht edhe mbajtja e gjithë atyre nuk është zgjidhje, sepse mund të kemi prapë mbingarkim të ministrive të caktuara te shërbyesit civilë” tha ai.
Ai nuk e përjashton mundësinë që dikush mund të mbetet edhe pa punë.
“Potencialisht në momentin kur flasim për këto probleme, një pjesë e tyre mund të mbesin pa punë për faktin se nuk mund t’i mbash tre zyrtarë të informimit ose tre shefa të departamenteve të burimeve njerëzore, ose duhet të ristrukturohen edhe t’u gjenden pozita të tjera ose duhet të mbahen si të tilla, ose duhet të largohen, dhe njëra prej tyre ka me qenë patjetër. Kjo vërtet paraqet një sfidë. Problemi është edhe te sekretarët, aktualisht janë 21 ministri me 21 sekretarë të përhershëm dhe bashkimi i tyre në 12 ministri nënkupton që automatikisht për 9 sekretarë nuk dihet se çfarë do të ndodhë me ta, do të thotë a do të largohen ata nga puna apo do të gjenden vende të tjera. Pra ky është një problem që do të ballafaqohet menjëherë koalicioni potencial, kur fillon me shkrirjen e këtyre ministrive” tha ai.
Ndërsa Visar Rushiti, nga Demokracia Plus, thotë se në momentin e shkrirjes së ministrive, disa prej pozitave duhet të risistemohen, pasi të gjithë nëpunësitë civilë kanë akt emërimi.
“Në momentin e transferimit të nëpunësve civilë, pra të gjithë nëpunësitë civilë kanë akt emërimi dhe do të duhej të sistemoheshin në ministrinë përkatëse apo në ministrinë e re. Ajo që është më e dhimbshmja, nëse mund të them se mund të ndodhë, është që ata të sistemohen në një pozitë më të ulët nëse nuk ka një pozitë e cila është ekuivalente apo një pozitë të barasvlershme me pozitën që e ka pasur aktualisht në ministrinë tjetër”, tha ai për RTK.
Sipas Rushitit, nuk bëhet fjalë për mbetje pa punë, por për ulje pozitash.
Ndryshe krijimi i ministrive, emërimi i ministrave dhe zëvendësministrave është kryekëput çështje e marrëveshjeve të partive politike rreth koalicionit qeveritar dhe nuk bazohet në ligj apo në aprovim të numrit të dikastereve qeveritare nga Kuvendi.