Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Inovacionit Financiar të Kosovës (SHIFK) ka pritur në takim zyrtar të lartë të International Finance Cooporation (IFC) Liliana Pozzo dhe Nuria Perez, Këshilltare të IFC-së për Regjionin e Amerikës Latine, Evropë dhe Azi Qendrore dhe Partnerite në Inovacion.
Në takim, Hana ka njoftuar lidhur misionin, qëllimet dhe aktivitetet e SHIFK të cilat përfshijnë promovimin e zhvillimit të teknologjisë në sektorin financiar, sikurse dhe nevojën për edukim financiar sa më të mirë të konsumatorëve në vend. Po ashtu, të pranishmit janë njoftuar lidhur me zhvillimin e industrisë dhe produkteve financiare jobankare të cilat ofrohen nga anëtarët dhe nga tregu në përgjithësi, duke potencuar dhe investimet e huaja në vitet e fundit në industrinë “fintech” në Kosovë.
Nga zyrtarët e IFC-së, u theksua se sektori financiar jobankar në Kosovë ka kapacitete të mëdha të zhvillimit veçmas me investimet e huaja të kryera në këtë sektor, sikurse që është me rëndësi të veçantë edhe diversifikimi i produkteve financiare jobankare të cilat ofrohen nga institucionet financiare në Kosovë. Gjithashtu, në takim u tha se IFC është e gatshme për të ofruar ndihmën e saj në zhvillimin e mëtejmë të kësaj industrie përmes partneriteteve potenciale, transmeton rtk.
Zyrtaret e IFC-së Liliana Pozzo dhe Nuria Perez për herë të parë vizitojnë Kosovën dhe kanë përvojë të gjatë ndërkombëtare në zhvillimin dhe implementimin e produkteve financiare duke përdorur kanalet digjitale sikurse telefonat mobil dhe të ngjashme.