Ka përfunduar takimi mes grupeve punuese të Lëvizjes e Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.Kandidati për deputet i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se sot është diskutuar vetëm për temat ekonomike dhe harmonizimin e programit mes dy partive.
Ai tutje ka shtuar se gjatë këtij takimi janë ngritur diku 40 tema lidhur me ekonominë.
“Ne paraprakisht në takimin e fundit se jemi pas marrë vesh që ky takim të jetë vetëm për ekonomi, për masat që do t’i marrim për zhvillimin ekonomik dhe ashtu edhe ndodhi. Pra, ne për tri orë të tëra të cilat kanë qenë mjaft intesive folëm vetëm për këtë fushë, dhe mund të them se janë ngrit diku mbi 40 tema sa i kam shkru unë. Pra janë folur diku 40 çështje të ekonomisë, dhe mund të them se 90 për qind prej tyre jemi pajtu se çfarë vendimesh dhe çfarë reformash duhet të ndërmerrte qeveria e ardhshme.
Për disa 10 për qind ndoshta, për të cilat nuk kemi gjet dakordim ndoshta, do t’i kurorëzojmë në takimet e ardhshme”, ka thënë ai.
Konjufca nuk ka treguar për temat të cilat janë diskutuar me arsyetimin se kjo mund t’a çrregullojë mirëbesimin e negociatave.
“Nuk mund t’ju tregojë sepse kjo e çrregullon mirëbesimin e negociatave në të cilat jemi aktualisht. Mendoj që duhet ta ruajmë një lloj mirëbesimi të procesit që jemi. Nuk mendoj që ai 10 përqindëshi janë temat më të rëndësishme. Mirëpo ne duhet të dakordohemi që të mos jetë asgjë e pasqaruar. Në qeverinë e ardhshme duam që diskutimet të jenë sa më të thella dhe gjatë rrugës të mos na dalin mospajtime”, ka thënë ai. Ai tutje ka shtuar se sot nuk kanë diskutuar për emrin i cili do të udhëheqë me Ministrinë e Financave
“Jo sot nuk kemi folur për asnjë emër, sot kemi folur për ekonomi, për çfarë masash dhe projekte konkrete duhet të ndërmarrim., pra, ka qenë një përballje e programit vetëm të nivelit ekonomik, të LDK me atë të VV. shkruan Koha.net
Ai tutje ka shtuar se takimet e ardhshme do të jenë për drejtësi, çështjet sociale , arsim dhe shëndetësi. Konjufca ka thënë se janë dakorduar për katër takimet e ardhshme. “Ne jemi dakorduar, nëse na duhet do të takohemi edhe më shpesh, por kemi menduar se për katër takime për afërsisht që të vijmë deri te një konkludim pothuajse 100 për qind, të pajtimeve tona për qeverinë e ardhshme”.