Me qëllim të rritjes së kujdesit për ambientin në Korporatën Energjetike të Kosovës do të investohen edhe disa milionë euro.
Janë 76 milionë euro që do të shkojnë në ndërrimin e elektrofiltrave të Termocentralin Kosova B.
Me përfundimin e projektit për ndërrimin e elektrofiltrave, KEK-u nga viti 2021 do të operoj me standarde të Bashkimit Evropian.
Ky projekt do të financohet nga fondet e IPA-s, përderisa Zyra e BE-së është në fazën përmbyllëse të projektit sa i përket pjesës administrative.
Drejtori i Termocentralit Kosova B, Luigj Imeri, ka thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm si për banorët ashtu edhe për vet korporatën.
“Sipas parashikimeve tona, ky projekt do të filloj pas 6 muajve nëse shkon gjithçka në rregull. Përfundimi i projektit është në dy faza, e para është në njësinë B1, e cila përfundon rreth 15 dhjetorit të vitit 2020 dhe faza e dytë është ajo e njësisë B2, e cila do të përfundoj në vitin 2021. Ky projekt është shumë i rëndësishëm për vendin mbi të gjitha për popullatën që jeton këtu, por edhe për vet KEK-un. Ky termocentral, pas implementimit të këtij projekti do të operoj sipas standardeve të BE-së”, ka thënë Imeri.
Banorët e fshatit Hade të cilët jetojnë afër KEK-ut, thonë se investimet e bëra nga KEK-u, kanë ndikuar dukshëm në përmirësimin e ndotjes, që njëherësh kanë ndikuar për një jetë më të mirë.
“Në krahasim me gjendjen siç ka qenë para luftës apo menjëherë pasluftës, ka ndryshime më të mira. Me investimet e KEK-ut që i ka bërë në filtra. Ka përmirësime më të mira. Si banorë, kërkojmë nga KEK-u që të vazhdoj me punë dhe të përmirësoj më shume gjendjen e ambientit sipas standardeve të BE-së. Kërkojmë nga Qeveria që të na bëjë një zgjidhje pasi kjo pjesë ka mbetur si geto dhe nuk ka kushte për jetesë. Ne presim zhvendosjen e komplet fshatit. Këtu nuk kanë mbetur shumë banorë, ata që kanë mbetur fëmijët i dërgojnë në shkollë me vetura private, prandaj gjysma e fshatit janë zhvendosur në Obiliq”, deklaroi Valton Preniqi banor i fshatit Hade.
Zyrtarë të KEK-ut thonë se për të përmirësuar gjendjen e vështirë të trashëguar pas luftës, kanë realizuar një numër projektesh për përmirësime në ambient.
“Si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë për vendin, Korporata Energjetike e Kosovës në objektiv të vazhdueshëm ka edhe komponentën ambientale. Në këtë drejtim KEK-u ka përfunduar një cikël investimesh në disa projekte, por do t’i përmendi vetëm tri prej tyre, siç janë, ndërrimi i elektrofiltrave të Temocentralit Kosova A, transporti hidraulik i hirit, i cili më nuk bëhet përmes trakave, por përmes gypave me përzierje, një litër ujë-një hi dhe mbulimi i një kodre prej 250 hektarësh me hi, e trashëguar që nga paralufta. Përndryshe, sa i përket tymit të përmendur ditëve të fundit, kjo ndodh në të gjitha termocentralet edhe në termocentralet e tona është proces teknik, i cili është i pashmangshëm në rastet kur ristartohet blloku, përndryshe kjo ndodh 3-4 orë derisa të hynë në funksion djegia e thëngjillit”, ka thënë Skender Bucolli, Drejtor në Zyrën për media të KEK-ut, shkruan koha.net.
Vlera totale e investimeve të KEK-ut në përmirësimin e ambientit gjatë 10 viteve të fundit ka arritur në 60 milionë euro.