Deri në vitin e ardhshëm institucionet publike shëndetësore në vend nuk do të furnizohen me barna nga lista e re esenciale e barnave, ndonëse ajo ka hyrë në fuqi në muajin shtator të këtij viti. Pacientët edhe më tej do të duhet t’i blejnë vetë barnat, të cilat atyre u takojnë falas.
Është bërë më shumë se një muaj qëkur ministri në largim i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nënshkruar listën e re të barnave esenciale, por që me të cilat institucionet publike shëndetësore në vend ende nuk janë furnizuar.
Furnizimi me barnat nga lista e re do të bëhet gjatë vitit të ardhshëm, ndonëse nuk dihet saktësisht se në cilin muaj do të fillojë furnizimi me to.
Deri atëherë pacientët do të duhet të mbajnë edhe më tej vetë barrën e sigurimit të shumë barnave, edhe pse buxheti aktual për vitin 2019 vetëm për barna dhe për material shpenzues është 34.9 milionë euro, shkruan zëri.
Lista e re e barnave ishte vlerësuar të jetë e një rëndësie të veçantë, pasi që në të janë futur rreth 100 barna të reja për sëmundje të ndryshme, si produkte që ndikojnë në gjak, barna për të sëmurët me kancer, produkte për trajtimin e HIV-it e produkte të tjera për trajtimin e sëmundjeve të rralla.