Një studim i ri konfirmon se pemët sjellin përfitime shumë të mëdha për të luftuar ngrohjen globale duke thithur gaz karbonik nga atmosfera. Aktivistët për shtimin e sipërfaqeve të pyllëzuara thonë se ky ka qenë fakt i konfirmuar prej vitesh, por më në fund ky mesazh po përqafohet gjerësisht.
Vullnetarët me organizatën “TreePeople” po mbjellin pemë e bimë të tjera në pyllin kombëtar pranë Los Anxhelosit. Speciet e zonës aktualisht janë në gjendje kritike pasi pylli është zaptuar nga bimë invazive.
“Po mbjellim 40 specie të ndryshme. Disa prej tyre janë barna, kemi shkurre, si dhe lisa e pemë të tjera,” thotë Tierry Rivard me organizatën TreePeople.
Të gjitha këto specie i përkasin këtij ekosistemi. Pemët janë një komponent jetik:
“E dimë që pemët sjellin përfitime të shumfishta. Ato na ofrojnë hije, si ne ashtu edhe mjedisit sidomos në momente të nxehti ekstrem. Pemët zbusin përmbytjet pasi mbajnë ujë dhe nuk lejojnë rrjedhje të pakontrolluara,” thotë Cindy Montanez, shefe ekzekutive e organizatës “TreePeople”.
Pemët eliminojnë nga mjedisi sasi të mëdha gazi karbonik, duke ulur ngrohjen globale. Studime të shumta, ndër to një studim i fundit nga shkencëtarë evropianë i botuar në revistën Science, kanë konfirmuar përfitimet nga pemët. Po ashtu mbjellja e pemëve zbut problemin e shpyllëzimit:
Projekte për rimëkëmbjen e pyjeve janë në zbatim edhe në vende si Indonezia thotë një studiuese në San Francisko që punon për Fondin Botëror të Florës e Faunës:
“Në një projekt të quajtur “Thirty Hills”, po ndjekim një metodë me shumë aspekte, jo thjesht uljen e sasisë së gazit karbonik, por edhe përfitimet e tjera nga pyjet,” thotë studiuesja Christa Anderson.
Një projekt krijoi koshere bletësh në pyll për të ndihmuar edhe banorët lokalë me të ardhura.
Studimi thotë se pyjet e reja mund të thithin dy të tretat e gazit karbonit që i është shtuar atmosferës nga aktiviteti i njeriut. Por kërkohen edhe masa të tjera:
“Ky është vetëm një element i zgjidhjes. Duhen masa të tjera të guximshme për të ulur djegien e energjisë dhe çlirimin e gazeve nga aktiviteti industrial,” thotë studiuesja Anderson.
Me ngrohjen e planetit, pyjet e shëndetshme janë më rezistente ndaj zjarreve dhe ofrojnë strehë nga dielli për kafshët si dhe njerëzit. Qeveritë mund të luajnë rol të rëndësishëm. Por në Kaliforni, janë mobilizuar edhe vetë banorët dhe bizneset:.shkruan zëri i Amerikës
“Secili duhet të mbajë përgjegjësi personale duke mbjellë pemë. Kur mbjell pemë argëtohesh, përmirëson komunitetin dhe e bën klimën më të qëndrueshme,” thotë zonja Montanez.