Emërimi i Richard Grenell si përfaqësues i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës është dëshmi se presidenti i SHBA-së, Donald Trump kërkon që politikat e tij të udhëhiqen nga persona të besueshëm.
Kështu ka thënë Daniel Hamilton, ekspert në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin “Johns Hopkins”.
Mirëpo, emërimi i tij ka hedhur dyshime mbi qëndrimet diplomatike të SHBA-së, ka theksuar Hamilton.
“Presidenti Donald Trump dëshiron të arrijë një marrëveshje ndërkombëtare gjatë mandatit të tij. Ideja e zgjidhjes mes Kosovës dhe Serbisë paraqet atë mundësi.
Mirëpo, ka kaluar gati një vit pa ndonjë sukses në atë plan”, deklaroi Hamilton.
Sipas tij, Grenell është person i cili ndan mendime të ngjashme për shumë çështje, por emërimi i tij sjell tendencën e presidentit Trump për të komplikuar misionin e të dërguarit special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
“Palmer, i cili është diplomat me përvojë kur bëhet fjalë për Ballkanin, mbi vete e ka Philip Rickerin, i cili kryen funksionin e ndihmës sekretarit të Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit.
Andaj, për këtë arsye është vendosur që Palmer të ketë titullin e të dërguarit special”, shpjegoi Hamilton, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, tani është shfaqur edhe Grenell, një kanal shtesë diplomatik i cili e anashkalon Palmerin në lidhje direkte me Shtëpinë e Bardhë, transmeton lajmi.net.
“Grenell kryen ende detyrën e ambasadorit amerikan në Gjermani, që ka fjalën kryesore në Bruksel e po ashtu kundërshton idenë që Serbia dhe Kosova të shkëmbejnë territore si një prej kushteve për arritjen e marrëveshjes afatgjate. Nuk besoj se Grenell do të ketë mbështetjen rreth kësaj nga Bashkimi Evropian si i plotë”, përfundoi Hamilton.