Personat me pak autoritet janë shpeshherë pjesë e manipulimeve me viktima që synojnë një vend pune. Jo rrallë herë kemi qenë dëshmitarë për raste të ndryshme sesi në Kosovë shfrytëzohet maksimalisht ‘pozita’ në institucion, kompani apo qoftë edhe në butik kur ‘boss-i’ tregon muskujt.
Një rast skandaloz ka ndodhur në Oden e Avokatëve të Kosovës. Drejtori Ekzekutiv i Odës së Avokatëve të Kosovës, F.Sh, ka kërkuar favore nga një vajzë në lidhje më një pozitë në këtë institucion duke i kërkuar të shkojnë në hotel për të zhvilluar një intervistë.
A.Q (emër i njohur për redaksinë), është kontaktuar nga F.Sh në lidhje me një konkurs të shpallur nga OAK për “Zyrtar për Informim”, i cili konkurs atë kohën kur ajo ishte njoftuar veç ishte mbyllur, por drejtori i Odës i ka ndihmuar pasi ishte ai përgjegjës për pranimin e emaileve.
Drejtori i Odës ka shkuar deri në atë pikë ku e ka ftuar A.Q në zyrën e tij dhe ia ka treguar pyetje e testit, nga ku edhe A.Q e kalon testin me shkrim pa problem.
Asaj kohe A.Q ishte ngacmuar me fjalë kur kishte shkuar në zyrën e drejtorit.
Kontakti mes F.Sh ka vazhduar edhe pas testit me shkrim. Kur kishte ardhur koha për intervistën me gojë drejtori fton sërish A.Q, gjoja për ta përgatitur për pyetjet e intervistës dhe nga këtu ndryshon rrjedha e bisedës. Drejtori i Odës i kërkon vajzës që pyetjet t’i bisedojnë në një hotel, vajza nuk pranon dhe vendos të mos shkojë në intervistë.
Duke parë, siç sqaron vajza në email, që F.Sh po ‘manipulonte’ me emrin e saj tek stafi në OAK vendosë të reagoi.
Fillimisht ajo i shkruan Osman Havollit, kryetar i OAK-së, me emër anonim. Duke parë se askush nuk po reagonte ajo vendosë të paraqitet publikisht me emër dhe mbiemër.
A.Q i shkruan email Kryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havollit, lidhur me gjithë rrjedhën e ngjarjes dhe ka kërkuar takim me të. Kryetari nuk i kishte kthyer përgjigje dhe takimi nuk ishte bërë kurrë. Vajza duke parë që nuk kishte asnjë reagim nga kryetari i OAK vendos t’i shkruaj edhe Këshillit Drejtues të Odës të Avokatëve.
Në emailin e parë, A.Q shpreh shqetësimin e saj sesi F.Sh, po lakonte emra të ndryshëm duke shpifur dhe trilluar se nuk ishte A.Q që e ka paraqitur informatën lidhur me të, por prapa saj qëndronte dikush tjetër duke përmendur emrat e miqve të tij.
A.Q në këtë email kërkon takim me kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli për t’i shpjeguar rastin.
Vajza që kishte shprehur shqetësimin e saj lidhur me një ngacmim për një vend pune, nuk merr përgjigje nga i pari i Odës, andaj ajo vendos t’i drejtohet edhe 10 personave të tjerë të Këshillit Drejtues të OAK-së.
Në emaili i dytë – A.Q sqaron gjithë rrjedhën e ngjarjes disa ditore dhe bisedat që ajo ka pasur më F.Sh, drejtorin ekzekutiv të OAK-së.
Vajza thotë, se F.Sh ishte paraqitur vullnetarisht për ta ndihmuar në lidhje me pozitën që kishte shpallur konkurs OAK, pasi i kishte thënë se i plotësonte gjitha kriteret që kërkoheshin nga ky institucion, shkruan lajmi.net.
Ajo e ka parë të arsyeshme të paraqitet me emër e mbiemër atëherë kur F.Sh, kishte filluar të gënjente, gjithmonë sipas A.Q, kolegët e Odës lidhur me informatën që kishin dëgjuar, duke aluduar se ishte dikush tjetër pas saj.
Sipas A.Q, F.Sh kishte përfshirë tre emra të miqve të tij (emra dhe mbiemrat e tyre janë përmendur në email).
F.Sh kishte përgojuar edhe jetën private të vajzës, duke aluduar se ka biseda me të në telefon dhe nuk ka guxim me u paraqit publikisht pasi është në lidhje serioze.
















