Parlamenti në Angli ka votuar për shtyrjen e Brexit.
Kryeministri britanik Boris Johnson, do ta paraqesë marrëveshjen sërish javën e ardhshme.
Me 322 vota pro dhe 306 kundër, deputetët vendosën që të miratojnë një amendament, i cili shtyn votimin e marrëveshjes së arritur nga Qeveria, deri sa kjo e fundit të miratojë një tjetër ligj që shmang daljen nga unioni pa marrëveshje, diçka që Kryeministri ka kërcënuar që do të bëjë nëse nuk miratohet ujdia e fundit e arritur.
Ndërkaq, ish-kryeministrja konservatore, Theresa May deklaroi se mbështet marrëveshjen e Brexit-it, të negociuar nga pasardhësi i saj, Boris Johnson, pavarësisht se kjo marrëveshje kaloi limitin nga negociatat e saj me Brukselin.
May, marrëveshja Brexit e së cilës u refuzua tri herë nga parlamenti, është shprehur më parë se asnjë kryeministër britanik nuk mund të pranonte një kufi doganor midis Irlandës Veriore dhe pjesës tjetër të Britanisë së Madhe.

May thekson se parlamenti do të ishte fajtor për mashtrimin më të egër ndaj popullit britanik, nëse nuk arrin të zbatojë Brexit, përcjell tch.
“Nëse nuk doni marrëveshje, duhet të votoni për një marrëveshje”, iu drejtua ajo deputetëve.
Deputeti veteran dhe ish-ministri i konservator, Ken Clarke, iu drejtua parlamentit se marrëveshja e Johnson do të krijonte një kufi të qartë doganor dhe rregullator midis Irlandës Veriore dhe Britanisë së Madhe.