Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi i ka bërë thirrje qeverisë së re të Kosovës që të investojë në sektorin privat dhe të ketë strategji për rritjen e eksportit me qëllim të krijimit të një ekonomie afatgjate.
Rukiqi, në një konferencë për media, tha se Kosova vazhdon të ballafaqohet me papunësi të lartë, dhe mungesë të investimeve të huaja. Sipas tij motor i ekonomisë së Kosovës vazhdojnë të jenë remitencat dhe investimet publike.
Kreu i OEK ka rekomanduar aftësimin e fuqisë punëtore përmes edukimit dual dhe përkrahjen e kompanive përmes standardizimit. I pari i OEK-ut ka rekomanduar që të vazhdohet reforma ekonomike dhe mos të ketë taksa të reja dhe as ngritje të tyre sepse kjo i godit sipas tij edhe ekonominë e brendshme por edhe ul mundësinë e investimeve të huaja në Kosovë. Rukiqi tha se OEK është pro parimit të vendosjes së masave të reciprocitetit.
Duke folur rreth programit të partive që u proklamua gjatë kësaj fushate, Berat Rukiqi theksoi se partitë politike gjatë kësaj fushate zgjedhore nuk kanë ofruar ndonjë platformë se si duhet të arrihet deri tek një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik. Gjatë kësaj konference për media Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar lidhur me krijimin e Bordit Këshillëdhënës brenda Odës me qëllim që të ofrimit të zgjidhjeve të problemeve ekonomike sidomos për edukim, energji, nxitje të investitorëve të huaj në Kosovë.
Drejtori i këtij bordi dhe eksperti amerikan i energjisë, Gary Dirks i cili tha se përmes ekspertizës së tij që kryesisht lidhet me energjinë do mundohet të ofrojë ide dhe zgjidhje për problemet ekonomike në vend, shkruan rtk. Madje sipas tij ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” nuk duhet të hiqet nga tavolina për shkak të kushteve favorshme dhe nevojës për kapacitetet energjetike.