Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat për kryeministër, ka takuar sot ambasadorin e Shqipërisë, në Kosovë Qemal Minxhozin, me të cilin ka biseduar bashkëpunimin mes këtyre dy shteteve.
Kurti, që me partinë e tij sipas rezultateve të deritashme ka fituar zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë se marrëveshjet e nënshkruara deri tash mes dy shteteve, s’do të mbesin në letër por do të zbatohen, sipas një njoftimi për media nga Vetëvendosje.
“Z. Minxhozi e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për organizimin e fushatës që arriti t’i adresojë me sukses brengat e qytetarëve të Republikës. Ai përshëndeti daljen e madhe të qytetarëve në këto zgjedhje që tregoi pjekuri e vendosmëri për ndryshime”, thuhet në këtë njoftim,shkruan koha.net.
“Z. Kurti e falënderoi ambasadorin Minxhozi për urimin dhe e njoftoi atë për nismat që do t’i ndërmarrë qeveria e re në funksion të sovranizimit, zhvillimit dhe bashkëpunimit të Kosovës e Shqipërisë. Ne do të angazhohemi, tha ai, që në të ardhmen të kemi komisione të përbashkëta qeveritare sa i përket politikës së jashtme, burimeve natyrore dhe mbrojtjes e sigurisë. E, po ashtu, edhe një regjistër të përbashkët të bizneseve e për një regjistër të përbashkët civil, për sistem unik doganor, për një sistem të integruar elektro-energjetik dhe për një treg të përbashkët. 50 marrëveshjet e nënshkruara mes shteteve tona nuk do të mbesin në letër por do të zbatohen”, thuhet më tej për takimin mes Kurtit e Minxhozit.