Policia e Kosovës përmes një komunikate për medie ka reaguar ndaj një shkrimi në disa mediume serbe, duke i quajtur shkrimet e tilla si tendencioze dhe me qellime dezinformuese.
“Shkrimet e tilla nga këto mediume se kinse për këtë rast të apostrofuar, në Veri të Mitrovicës do të dërgohet Njësia Speciale Operative e PK-së, janë tendencioze dhe aspak të drejta, kanë për qëllim dezinformimin e qytetarëve, duke dashur që përmes shkrimeve të tilla të orientojnë mesazhet e tyre politike, të ndjellin frikë tek qytetarët si dhe të tentojnë destabilizimin e asaj pjese të vendit”, thuhet në reagimin e Policisë.
Në raport gjithashtu inkurajohen të gjithë qytetarët që mos të bien pre e këtyre dezinformatave dhe të informohen vetëm përmes informacioneve zyrtare.
Vlen të theksohet se sa i përket procesit të zgjedhjeve, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha planifikimet e nevojshme operacionale në nivel vendi, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, plan ky i cili parasheh krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.