Të dielën do të mbahen zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.
Më 6 tetor , 1 milionë e 937 mijë e 869 votues do t’i drejtohen qendrave të votimit për të votuar të preferuarin e tyre për ta udhëhequr qeverinë e re.
E prej tyre, në këto zgjedhje 87 mijë e 180 votues të rinj do të votojnë për herë të parë.
Këtë e ka bërë të ditur për indeksonline, zëdhënësi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Sipas listës përfundimtare të votuesve, e cila është miratuar nga KQZ-ja, të dielën në Republikën e Kosovës kanë të drejtë vote 1 milion e 937 mijë e 869 votues” ka shtuar Elezi.
Pra, janë 111 mijë e 733 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Zëdhënësi i KQZ-së shtoi se të dielën do të hapen 895 qendra të votimin me 2 mijë e 547 vendvotime, të cilat do të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19.