Lushnja u trondit në mëngjes nga një ekzekutim mafioz që i mori jetën 40-vjeçarit Besnik Hida, këtij që shihni në këtë foto, pronar i një pike grumbullimi automjetesh në aksin Lushnjë-Fier.
Ishte ora 8 e 15 e mëngjesit kur 2 persona të maskuar që zbritën nga një automjet ngjirë gri u ngjitën në tarracën e lokalit, ku Hida ishte duke pirë dhe zbrazën mbi të dhjetëra plumba kallashnikovi. E gjithë skena u pa nga kalimtarë të rastit që i thanë policisë se panë të gjitha lëvizjet e autorëve.
Shenjat e vrasjes makabre janë të dukshme edhe në muret e ndërtesës. Pas ekzekutimit mafioz, autorët që mendohet të kenë qenë 3 persona u larguan me një automjet që më pas u gjet i djegur në lagjen 18 Tetori në periferi të Lushnjës. Makina dyshohet se ka qenë e vjedhur dhe me targa false. Brenda saj policia gjeti një pistoletë Makarvo dhe dy kallashnikovë.
Motivet e këtij krimi mafioz janë ende të paqarta. Besnik Hida është daja i Zamir Latifit, i vrarë në tetor të 2017, bashkë me Orges Hoxhën në qendër të Lushnjës.
Hetuesit janë duke konsideruar disa pista që lidhen sa me ngjarjen e dy viteve më parë, por edhe të konflikteve që Hida mund të ketë patur me persona të tjerë.