Avokati i Popullit i ka parashtruar Gjykatës Themelore në Prishtinë, padi me kërkesë për masë të përkohshme përkitazi me shkeljen nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të së drejtës për trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.
Avokati thotë se KQZ-ja, sipas mandatit që ka, i ka certifikuar listat me emrat e kandidatëve për deputetë të propozuara nga subjektet politike për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2019, por nuk i ka pasur parasysh garancitë kushtetuese e ligjore sa i përket barazisë gjinore, në mënyrë specifike trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.
“Së këndejmi, në përmbushje të mandatit që ka, Avokati i Popullit, si institucion i barazisë sipas Ligjit për Barazi Gjinore dhe si institucion me kompetenca të përcaktuara edhe me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, i është drejtuar GjThP-së me padi kundër KQZ-së, duke kërkuar nga gjykata që të vendosë se sjellja e KQZ-së e ka shkelur të drejtën për trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes”, thuhet në komunikatën për media të Avokatit të Popullit.
Po ashtu, Avokati i Popullit ka kërkuar që KQZ-ja të ndalojë ndërmarrjen e veprimtarive të cilat shkelin apo mund të shkelin të drejtën për trajtim të barabartë, apo të kryejnë veprimtari të cilat eliminojnë diskriminimin apo pasojat e tij në lidhje me trajtimin e pabarabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, shkruan/koha.net/
“Ta publikojë në media vendimin i cili vërteton shkeljen e së drejtës për trajtim të barabartë. Për më tepër, Avokati i Popullit ia ka bashkangjitur padisë në fjalë kërkesën për masë të përkohshme në procesin zgjedhor, mbi bazën e argumenteve që parashtron padia në fjalë dhe i kërkon Gjykatës aprovimin e kësaj mase, me ç’rast KQZ-ja, si palë e paditur, do të duhej t’i rishikonte listat e partive politike, në mënyrë që ato të jenë në pajtim me dispozitat në vijim Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, neni 6 [Masat e veçanta], paragrafi 8: ‘Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse’. Neni 14 [Partitë politike]: ‘Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji’”, thuhet në komunikatë.