Kandidati për deputet nga PDK-ja, Blerim Latifi, duke folur për taksën, ka thënë se fillimisht vendosja e taksës ishte një veprim i duhur karshi Serbisë, por që më vonë ka degraduar dhe e ka humbur kuptimin.
“E dimë situatën konkrete e cila e ka prodhuar taksën – arroganca që e dëshmoi Serbia në konferencën e INTERPOL-it ku Kosova nuk arriti të anëtarësohet. Ka qenë një reagim i kombinuar – edhe racional, edhe emocional”.
“Fillimisht ka qenë përgjigje adekuate ndaj agresivitetit diplomatik të Serbisë. Një shtet i përgjigjet agresivitetit të një shteti tjetër me mjetet që i ka. Kjo është e natyrshme dhe e logjikshme. Deri në këtë pikë, jemi në rregull”.
“Por, më vonë gjendja ka degraduar. Taksa filloi të mitizohej dhe nuk ishte më instrument i shtetit të Kosovës kundër Serbisë, por u shndërrua në instrument të luftës së brendshme për pushtet. Dhe këtu taksa filloi ta humbë vlerën e saj politike në raport me politikën – qoftë me Serbinë apo në raportet tona të brendshme”.
Madje, ai në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se “taksa është bërë folklor politik”.
“Po i mungon vetëm që lahutarët me e marrë një lahutë dhe t’i këndojnë në këngë”.
Latifi ka thënë se Kosova nuk duhet ta bllokojë vetveten.
“Ne i dimë qëndrimet e SHBA-së rreth taksës, që janë qëndrime racionale. Kosova nuk duhet të ja lidhë këmbët vetes. Nëse taksa suspendohet, nuk do të thotë që zhduket. Nëse suspendimi i taksës ndodh, nuk do të thotë që Kosova s’e disponon më atë mekanizëm”.
“Ne duhet të jemi fleksibilë. Ne nuk duhet ta bllokojmë veten me ide naive se ‘unë kam qenë në Berlin dhe e kam ndalë ndarjen e Kosovës’. Ato janë folklor i pastër politik”.