Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka konstatuar se as me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme e as me rregullat zgjedhore nuk është e paraparë sanksionimi apo marrja e masave të tjera ligjore për këtë periudhë të para fushatës zgjedhore.
PZAP-ja, kishte pranuar një ankesë më 13 shtator nga subjekti politik Partia Kosovaskih Srba, dega në Leposaviq, me të cilën theksonte se kandidati për deputet nga Lista Serbe Milan M. Kostiq në mënyrë më brutale ka keqpërdorur fëmijët për promovime politike dhe fushatë zgjedhore, ku në takimin me fëmijët i ka fotografuar dhe shpërndarë në rrjetin e tij në Facebook me mesazh politik si kandidat për deputet, transmeton indeksonline.net.
Me ketë ankesë, parashtruesi ka bashkëngjitur dëshmi fotografinë ku pretendohet se kandidati për deputet ka bërë shkelje.
Por, paneli i PZAP-së ka thënë se kjo ankesë është e palejuar, pasi nuk është paraparë sanksionimi apo marrja e masave të tjera ligjore.
“Periudha për fillimin e fushatës zgjedhor e përcaktuar nga KQZ-ja, për Zgjedhjet Parlamentare 2019 fillon nga data 25.09.2019 dhe zgjat deri më datën 4.10.2019, andaj duke u bazuar në dispozitat e lartcaktuara ligjore, me të cilën përcaktohen veprimet e ndaluara të subjekteve politike gjatë përiudhës së fushatës zgjedhore si dhe dke pasur parasysh se pretendimet ankimore të parashtruara në ankesë nga pala ankuese janë zhvilluar para datës zyrtare për fushatë zgjedhore, Paneli konstaton se ankesa në fjalë është e palejuar ngase as me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme e as me rregullat zgjedhore nuk është e paraparë sanksionimi apo marrja e masave tjera ligjore për këtë periudhë të para fushatës zgjedhore”, thuhet në këtë vendim.