Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit kandidat për kryeministër i kësaj partije Albin Kurti nuk është i kënaqur me marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës.
Në një intervistë për emisionin “Përballë“ në TVSH Kurti foli edhe pengesat fizike mes dy vendeve, duke përmbendur taksën në Rrugën e Kombit.
“Taksa në Rrugën e Kombit është gabim. Ne pa e hequr ende këtë kufij, e vumë edhe një tjetër, për të cilin duhet ta fusim dorën në xhep. Ky lloj dyfishimi plus me pagesë është indinjues, përveçse dëmtues. Mbase si qeveri e re duhet të fillojmë bisedimet me qeverinë e Shqipërisë që kjo të mos vazhdoj kështu, aq më tepër kur dihet se nuk është duke përfituar shteti, se sa është duke përfituar një privat”, u shpreh Albin Kurti në RTSH.
Kryetari i “Vetvendosjes” foli edhe për degën e kësaj partie në Tiranë, duke lënë të nënkuptohet se Shqipëria duhet të kishte bërë më shumë për komunitetin e shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijëve të saj.
“Ata kanë për synim që ta emancipojnë shtetin shqiptar për shqiptarët jashtë Shqipërisë. Shqipëria ka obligim ndaj këtyre shqiparëve që i ka rrotull dhe unë besoj se ka shumë më tepër mundësi dhe obligim se sa realizim”, tha Kurti./ InLajmi/