Qyteti i Ferizajit do të bëhet me Qendër Multifunksionale, projekt i parë i kësaj natyre në Kosovë. Kjo pasi Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu.
Projekti kapital, i cili është investim i MKRS-së, sipas memorandumit, parasheh që të investohen mbi 4 milionë euro të ndara në 3 vite, 2019 deri 2021.
Me këtë rast, ministri Gashi sqaroi se projekti në fjalë, është projekti i parë në Kosovë i kësaj natyre, ku do të ndërtohet një qendër me shumë funksione, për të organizuar koncerte, ngjarje e takime të ndryshme kulturore e të rinisë.
“Është projekti i parë në Republikën e Kosovës. Është një projekt i cili ngërthen në vete hapësira të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive, në mesin e të cilëve do të ketë edhe një sallë prej 840 ulëseve, pastaj hapësira për galeri si dhe pjesë e qendrës do të jetë edhe muzeu i qytetit si dhe sallat koncertale e teatrale”, sqaroi mes tjerash ministri Gashi.
Ministri foli edhe për bashkëpunimin e deritashëm që MKRS-ja ka pas me Komunën e Ferizajt, dhe falënderoi drejtuesit e komunës për gatishmërinë dhe përkushtimin për të punuar dhe shtyrë përpara projektet që janë në dobi të Ferizajt me rrethinë, duke thënë se në qytetin e Ferizajt planifikohen që për tri vitet e ardhshme të investohen mbi 10 milionë euro.
Ministri Gashi po ashtu përmendi edhe projektet që janë finalizuar sa ishte ministër dhe ato që janë në finalizim e sipër si investimet në rinovimin e stadiumit të qytetit dhe finalizimin e sallës së sporteve dhe panaireve në Greme, rinovimin e teatrit aktual dhe tërë këto po bëhen, sipas ministrit, sepse Ferizaji ka një traditë jashtëzakonisht të mirë të zhvillimit të aktiviteteve.
“Kemi përkrahur edhe shumë aktivitete e festivale me karakter kombëtar e ndërkombëtar në Ferizaj”, u shpreh ministri Gashi duke treguar mbështetjen e institucionit për jetën kulturore e sportive në Ferizaj.
Ndërkaq, kryetari Agim Aliu, tha se sot është një ditë e gëzuar për Ferizajin, ngase bashkë me ministrin nënshkruan një memorandum shumë të rëndësishëm për komunën dhe qytetin që ai udhëheq.
“Ajo që e bën të veçantë ditën e sotshme dhe në përgjithësi mbështetjen e projekteve që janë bërë nga ministri Gashi është se sot kemi nënshkruar një projekt unik për Ferizajn, Qendrën Multifunksionale. Dhe me këtë rast, e falënderoj ministrin Gashi për vazhdimësinë e mbështetjes që keni treguar gjatë këtyre dy viteve”, tha Aliu.
Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, i pranishëm ishte ish-deputeti i kësaj zone, Ilmi Reçica, i cili tha se ky projekt në radhë të parë do të jetë në interes të qytetarëve të Ferizajt dhe falënderoi ministrin Gashi e kryetarin Aliu për punën dhe bashkëpunimin e mrekullueshëm./InLajmi